KE përgënjeshtron Ramën: Fondet IPARD Shqipërisë unike

Komisioni Evropian përgënjeshtron Ramën për fondet IPARD

Gjatë prezantimit të projektbuxhetit për vitin 2026, nga foltorja e Kuvendit, kryeministri Edi Rama iu referua çështjes së ndërprerjes së fondeve IPARD, duke minimizuar vendimin e Brukselit. Rama e cilësoi me ironi si “kënga e mjerueshme e fondeve të bujqësisë”. Ai u shpreh se hetimet e Zyrës Evropiane Kundër Mashtrimit (OLAF) për periudhën 2019–2023 kanë zbuluar shkelje të ngjashme edhe në vende të BE-së, duke shtuar se shumat e identifikuar në këto vende arrijnë mbi 1 miliardë euro.

“OLAF, i cili bën hetime për llogari të Komisionit Evropian, për vitin 2019–2023, nuk ka gjetur shkelje të të njëjtës natyrë, (siç ka gjetur në Shqipëri), vetëm në këto vende: Luksemburg, Maltë, Qipro, Irlandë edhe Holandë. Ndërkohë që shuma e vendosur nga OLAF-i përpara vendeve të tjera të Bashkimit Evropian… është mbi 1 miliard euro,” tha Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë.

Shqipëria, një rast unik

Në një reagim të posaçëm për Faktoje.al, Komisioni Evropian sqaron se rasti i Shqipërisë është unik. Kjo për shkak se ndërprerja e pagesave për IPARD II dhe pezullimi i IPARD III u vendosën mbi bazën e një hetimi të OLAF, jo thjesht mbi auditime teknike si në vendet anëtare të BE-së. Në përgjigjen zyrtare për Faktoje.al, Komisioni Evropian thekson se masa e marrë ndaj Shqipërisë nuk ka precedent. “Siç është thënë më parë, nuk ka raste të ngjashme,” deklaroi KE për Faktoje.al.

Komisioni shpjegon se është e domosdoshme të bëhet dallimi midis korrigjimeve financiare për mangësi teknike në vendet anëtare dhe masave të bazuara në një hetim të OLAF, siç është rasti i Shqipërisë.

“Në rastin e Shqipërisë, Komisioni Evropian ka ndërprerë rimbursimin e shpenzimeve të IPARD dhe, njëkohësisht, ka pezulluar delegimin për të gjitha masat e IPARD III mbi bazën e informacionit të marrë nga OLAF në kontekstin e një hetimi, dhe kjo që prej korrikut 2023. Është e qartë se, për të korrigjuar mangësi të tilla, përmirësimet në sistemet kombëtare të kontrollit janë të nevojshme në të dyja situatat e përmendura më sipër”, shpjegoi Komisioni Evropian.

Verën e vitit 2023, mbi bazën e informacionit të OLAF, Komisioni Evropian ndërpreu rimbursimet e IPARD II dhe pezulloi të gjitha masat e IPARD III. Për të rikuperuar besueshmërinë, Shqipëria duhet të përmirësojë sistemet e kontrollit dhe të zbatojë masa korrigjuese.

Gënjeshtër e përsëritur

Kjo nuk është hera e parë që qeveria minimizon ndërprerjen e fondeve IPARD II dhe pezullimin e programit IPARD III, për shkak të dyshimeve për korrupsion. Korrikun e vitit 2023, kur Komisioni Evropian informoi qeverinë shqiptare se kishte pezulluar grantet për bujqësinë, vendimi i Brukselit u komentua si një procedurë administrative normale. Ministrja e Bujqësisë asokohe, Frida Krifca, deklaroi se parregullsi apo shpërdorime të ngjashme me fondet IPARD janë gjetur edhe në vende si Gjermania, Franca apo Holanda. Deklarata e saj u përgënjeshtrua nga Faktoje.al përmes Komisionit Evropian, i cili edhe atëherë theksonte se masa ndaj Shqipërisë ishte e paprecedentë.

Përfundim

Komisioni Evropian argumenton se është e rëndësishme të bëhet dallimi midis korrigjimeve financiare të aplikuara ndaj shteteve anëtare të BE-së nga Drejtoria e Përgjithshme për Agrikulturën dhe Zhvillimin Rural (DG AGRI), kundrejt çështjeve që dalin në dritë mbi bazën e një hetimi nga Zyrës Evropiane Kundër Mashtrimit (OLAF), siç është rasti për Shqipërinë.

Nisur nga informacionet e mbledhura, deklarata e kryeministrit Edi Rama se “OLAF nuk ka gjetur shkelje të të njëjtës natyrë siç ka gjetur në Shqipëri vetëm në Luksemburg, Maltë, Qipro, Irlandë edhe Holandë” e kategorizojmë të pavërtetë. Çështja e fondeve IPARD nuk është thjesht një “këngë e mjerueshme”, por test për besueshmërinë e institucioneve shqiptare në rrugën drejt integrimit europian.

Scroll to Top