Këshilli Bashkiak kërkon nga SPAK lejimin e pjesëmarrjes së Veliajt në mbledhjen për buxhetin
Këshilli Bashkiak i Tiranës i ka dërguar një kërkesë zyrtare Prokurorisë së Posaçme (SPAK) dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, duke kërkuar leje që kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, të marrë pjesë fizikisht në mbledhjet për konsultimin dhe detajimin e projektbuxhetit për vitin 2026.
Sipas kërkesës, pjesëmarrja e Veliajt në procesin e konsultimit dhe detajimit të projektbuxhetit është një detyrim ligjor i përcaktuar nga legjislacioni për vetëqeverisjen vendore. Anëtarët e Këshillit Bashkiak theksojnë se prania e kryebashkiakut është e domosdoshme për të siguruar bashkëpunimin me këshillin në çështje me interes publik.
Kërkesa e plotë:
Lënda: Kërkesë për mundësimin e pjesëmarrjes së Kryetarit të Bashkisë Tiranë, z. Erion Veliaj, në konsultimin për projektbuxhetin e Bashkisë së Tiranës për vitin 2026
STRUKTURËS SË POSAÇME KUNDËR KORRUPSIONIT DHE KRIMIT TË ORGANIZUAR
DREJTORISË SË PËRGJITHSHME TË BURGJEVE
Të nderuar përfaqësues të institucioneve,
Këshilli Bashkiak i Tiranës, duke vepruar në përputhje me detyrimet e tij ligjore dhe me qëllim garantimin e funksionimit të rregullt institucional, ju drejtohet për të kërkuar mundësimin e pjesëmarrjes së Kryetarit të Bashkisë Tiranë, z. Erion Veliaj. Kjo kërkesë lidhet me referencën nr.42497 prot., datë 15.12.2025, për të marrë pjesë në konsultimin për projektbuxhetin afatmesëm 2026-2028 dhe detajimin e buxhetit të Bashkisë Tiranë për vitin 2026.
Sipas Ligjit nr.139/2015 “Për Vetëqeverisjen Vendore”, i ndryshuar, konkretisht:
- Neni 58, pika 4, përcakton se Kryetari i Bashkisë ka të drejtë të marrë pjesë në mbledhjet e Këshillit Bashkiak dhe të raportojë.
- Neni 60, përcakton bashkëpunimin e detyrueshëm ndërmjet Kryetarit të Bashkisë dhe Këshillit Bashkiak, për çështje me interes publik.
Duke qenë se pjesëmarrja e Kryetarit të Bashkisë është një e drejtë funksionale e garantuar me ligj, dhe duke iu referuar ligjit nr. 68/2017 “Për Financat e Qeverisjes Vendore”, ku neni 41 parashikon se “Kryetari i njësisë së vetëqeverisjes vendore përgatit projektbuxhetin vjetor dhe ia paraqet për miratim Këshillit të njësisë së vetëqeverisjes vendore”, ju kërkojmë që nëse ndaj tij janë duke u zbatuar masa kufizuese, të shqyrtoni mundësinë e lejimit të përkohshëm për pjesëmarrje fizike në një nga datat nga 16 deri në 18 dhjetor 2025.
Këshilli Bashkiak është i gatshëm të bashkëpunojë plotësisht për çdo kërkesë sigurie, protokolli apo logjistike të institucioneve tuaja, me qëllim garantimin e një procesi ligjor, transparent dhe funksional.
Ju lutemi të na informoni me shkrim mbi vendimmarrjen tuaj, duke pasur parasysh rëndësinë e respektimit të funksioneve institucionale dhe të së drejtës së Kryetarit të Bashkisë për të raportuar para Këshillit Bashkiak.
Me respekt,
Këshillarët
