Këshilli Ndërfetar falënderon partitë për tërheqjen nga ligji

Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë ka shprehur mirënjohje për qëndrimin e bashkuar dhe të përgjegjshëm të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike lidhur me projektligjin për “Barazinë Gjinore”, paraqitur nga Ministria e Shëndetësisë.

Në një deklaratë zyrtare, Këshilli thekson se ky vendim reflekton respektin për vlerat natyrore dhe parimet themelore të shoqërisë shqiptare, si dhe ndjeshmërinë ndaj traditës kulturore dhe fetare të vendit.

“Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë vlerëson dialogun, bashkëpunimin dhe maturinë e treguar gjatë këtij procesi, duke e konsideruar një shembull pozitiv të përgjegjësisë institucionale dhe kujdesit për të mirën e përbashkët”, thuhet në deklaratë.

Një falënderim i veçantë u shkon ekspertëve të grupit të punës nga pesë komunitetet fetare, juristëve, sociologëve dhe specialistëve, që kontribuan në përgatitjen e raportit profesional dhe në lobimin pranë institucioneve.

Këshilli Ndërfetar falenderon gjithashtu mediat shqiptare për pasqyrimin korrekt dhe të përgjegjshëm të deklaratave për shtyp dhe punës së grupit të ekspertëve, duke ndihmuar në informimin e drejtë të opinionit publik.

Deklarata përfundon duke rikujtuar angazhimin e Këshillit për të kontribuar në çdo nismë që lidhet me mbrojtjen e vlerave njerëzore, shoqërore dhe morale, si dhe mbështetjen e zhvillimit të qëndrueshëm dhe integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Scroll to Top