Kim Jong-un i dërgon mesazh Putinit: Kemi krijuar lidhje gjaku mes Koresë së Veriut dhe Rusisë
Lufta në Ukrainë ka krijuar “lidhje gjaku” midis Koresë së Veriut dhe Rusisë, u shpreh udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, në një mesazh të Vitit të Ri dërguar Presidentit rus Vladimir Putin të premten.
Kim tha se viti 2025 do të jetë një “vit vërtet i rëndësishëm” në aleancën midis Phenianit dhe Moskës, një aleancë e krijuar nga “lidhje gjaku” në të njëjtat llogore. Ai iu referua vendosjes së mijëra ushtarëve të Koresë së Veriut në rajonin rus të Kurskut në gusht, sipas raportimit të agjencisë shtetërore të lajmeve të Koresë së Veriut (KCNA).
Gjatë një pritjeje më 13 dhjetor për Regjimentin e Inxhinierisë së Ushtrisë, Kim bëri të ditur se nëntë ushtarë të Koresë së Veriut kishin humbur jetën gjatë vendosjes së tyre 120-ditore në Rusi.
Të dy vendet kanë forcuar ndjeshëm bashkëpunimin e tyre ushtarak që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës në shkurt 2022. Përveç dërgimit të trupave në rajonin Kursk të Rusisë për t’iu kundërvënë një pushtimi të papritur ukrainas, Koreja e Veriut i ka furnizuar Rusisë me predha artilerie dhe raketa, raportoi Reuters.
Në këmbim, Moska i ka dërguar Phenianit teknologji ushtarake, si dhe ndihmë ekonomike, ushqimore dhe energjetike, sipas analistëve.
