Kina do të ofrojë 100 milionë dollarë ndihmë për Gazën, me qëllim lehtësimin e krizës humanitare dhe rindërtimin e rajonit.
Këtë njoftim e bëri presidenti kinez, Xi Jinping, gjatë bisedimeve me homologun francez, Emmanuel Macron, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare tre-ditore në Kinë.
Presidenti Xi Jinping theksoi se Kina dhe Franca kanë rënë dakord të forcojnë bashkëpunimin në fusha të reja, duke përfshirë hapësirën ajrore, energjinë bërthamore, industrinë e gjelbër dhe inteligjencën artificiale.
Nga ana e tij, presidenti Macron shprehu shpresën se Kina do të ushtrojë ndikim mbi Rusinë për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. Ai gjithashtu theksoi se bota sot përballet me rrezikun e shkatërrimit të rendit ndërkombëtar, i cili ka sjellë stabilitet për dekada. Sipas tij, dialogu midis Kinës dhe Francës është veçanërisht i rëndësishëm në këtë drejtim.
