Sot kërkohen rezultate natyrale, ndërsa turizmi shëndetësor estetik po shndërrohet në një prirje afatgjatë.
Kirurgjia estetike në Shqipëri po kalon nga faza e “trendeve” drejt një faze të pjekurisë si industri shëndetësore, duke ofruar standarde, kosto reale dhe pacientë gjithnjë e më të informuar. Tregu po zhvendoset nga kërkesa për rezultate të shpejta dhe transformime të dukshme, drejt personalizimit, sigurisë klinike dhe teknikave më të sofistikuara që minimizojnë riskun dhe kohën e rikuperimit. Z. Skerdi Faria, CEO i Klinikave Spitalore Keit, na jep disa të dhëna rreth profilit të pacientëve dhe ndërhyrjeve më të kërkuara.
Evolucioni i kërkesës për ndërhyrje estetike kirurgjikale
Si ka evoluar kërkesa për ndërhyrje estetike kirurgjikale në vitet e fundit dhe cilat janë procedurat që sot përbëjnë peshën kryesore të aktivitetit tuaj, krahasuar me pesë apo dhjetë vite më parë?
Në 10 vitet e fundit, kërkesa për kirurgji estetike ka pësuar një evoluim të ndjeshëm, si në volum ashtu edhe në cilësi. Nëse më parë dominonin ndërhyrjet tradicionale me fokus kryesisht estetik, sot pacientët kërkojnë rezultate më natyrale, personalizim maksimal dhe siguri të dokumentuar shkencërisht. Kemi vërejtur një rritje të ndërgjegjësimit të pacientëve: ata janë më të informuar, më kërkues dhe më të orientuar drejt standardeve ndërkombëtare.
Pesë apo dhjetë vite më parë, ndërhyrjet si rinoplastika klasike, zmadhimi i gjoksit dhe liposuksioni tradicional përbënin peshën kryesore të aktivitetit. Sot, krahas tyre, vërejmë një rritje të ndjeshme të rinoplastikave të avancuara (ndërhyrje e parë dhe ndërhyrje korrigjuese), ndërhyrjeve të konturimit trupor pas humbjes së peshës, kirurgjisë së kombinuar pas shtatzënisë (mommy makeover) dhe procedurave të rafinuara të lifting-ut të fytyrës me teknika më pak invazive. Pra, evolucioni nuk është vetëm sasior, por edhe teknik dhe konceptual.
Profili i pacientit
Nga pikëpamja e profilit të pacientit, cilët janë klientët tuaj kryesorë (gjinia, mosha, kombësia)?
Profili i pacientëve tanë ka evoluar ndjeshëm vitet e fundit, duke reflektuar një treg më të informuar dhe më selektiv.
- Gjinia: Pjesa më e madhe e pacientëve janë femra (rreth 70–75%), kryesisht për ndërhyrje të gjoksit, konturim trupor dhe procedura të rigjenerimit të fytyrës. Megjithatë, vihet re një rritje e qëndrueshme e pacientëve meshkuj, veçanërisht për rinoplastikë, mbjellje flokësh, blefaroplastikë, gjinekomasti dhe trajtime të liposkulpturës. Kjo tregon një normalizim të kujdesit estetik edhe te meshkujt.
- Mosha: Grupmosha më e zakonshme varion nga 25 deri në 45 vjeç për ndërhyrje trupore dhe rinoplastikë. Për procedurat e lifting-ut të fytyrës dhe ndërhyrje të tjera anti-aging, mosha mesatare është 40–60 vjeç. Vihet re se pacientët po kërkojnë ndërhyrje në faza më të hershme, me fokus në parandalim dhe përmirësim gradual, jo transformim ekstrem.
- Kombësia: Pacientët tanë janë një kombinim i rezidentëve në Shqipëri dhe diasporës shqiptare (Itali, Gjermani, Zvicër, Mbretëria e Bashkuar). Pacientët ndërkombëtarë kanë qenë të pranishëm prej vitesh dhe nuk përbëjnë një fenomen të ri; por ajo që ka ndryshuar është se sot ky segment është edhe më i konsoliduar.
Në përgjithësi, pacienti ynë tipik është i informuar, kërkon transparencë, konsultim të detajuar dhe pritshmëri realiste mbi rezultatet. Fokusin e vendos te siguria dhe cilësia, jo vetëm tek aspekti estetik.
Procedurat më të parapëlqyera dhe zhvendosja drejt procedurave më të shpejta
Cilat janë ndërhyrjet që parapëlqehen më shumë nga pacientët dhe a keni vënë re një zhvendosje nga operacionet e mëdha drejt procedurave më të shpejta dhe me rikuperim më të shkurtër?
Aktualisht, ndërhyrjet më të parapëlqyera nga pacientët mbeten rinoplastika, ndërhyrjet e gjoksit (zmadhim, zvogëlim, ngritje apo riformësim), liposkulptura e avancuar, rimodelimi i barkut dhe blefaroplastika. Këto procedura përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të aktivitetit tonë kirurgjikal dhe reflektojnë kërkesën për përmirësim estetik të dukshëm, por me rezultate sa më natyrale.
Po, është e vërtetë që kemi vënë re një zhvendosje të qartë drejt procedurave me kohë rikuperimi më të shkurtër dhe ndikim më të kufizuar në jetën e përditshme. Pacientët sot kërkojnë efikasitet maksimal me ndërhyrje sa më pak invazive, kohë më të shkurtër anestezie dhe rikthim më të shpejtë në aktivitetet profesionale e sociale. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se operacionet e mëdha janë zëvendësuar. Përkundrazi, ato vazhdojnë të kenë një peshë të rëndësishme kur indikacioni mjekësor dhe objektivi estetik e kërkojnë. Ajo që ka ndryshuar është qasja: planifikim më i detajuar, teknika më të avancuara kirurgjikale dhe protokolle post-operatore që reduktojnë kohën e rikuperimit dhe rrisin sigurinë. Në thelb, trendi nuk është thjesht “më pak kirurgji”, por kirurgji më e rafinuar, më e personalizuar dhe më e orientuar drejt balancës mes rezultatit estetik dhe cilësisë së rikuperimit.
Konkurrenca dhe perceptimi i cilësisë
Sa e ndjeni sot konkurrencën nga qendra më të vogla estetike që ofrojnë procedura të ngjashme me kosto më të ulët dhe çfarë ndikimi ka kjo në perceptimin e cilësisë dhe besimit të pacientëve?
Konkurrenca nga qendra më të vogla estetike është një realitet i tregut dhe pjesë e natyrshme e zhvillimit të sektorit. Ne e shohim diferencimin jo si çështje çmimi, por si çështje standardi. Qendrat që konkurrojnë kryesisht me kosto më të ulët shpesh fokusohen në volum dhe ofertë agresive. Ndërsa në kirurgjinë estetike, elementi kyç për pacientin duhet të jetë siguria kirurgjikale, infrastruktura e kontrolluar mjekësore, cilësia e materialeve, përvoja e ekipit dhe ndjekja post-operative.
Nga përvoja jonë, pacientët fillimisht mund të tërhiqen nga çmimi, por në fazën e vendimmarrjes përfundimtare, përparësi bëhen besimi dhe garancia profesionale. Në fakt, një pjesë e pacientëve që na drejtohen vijnë pas eksperiencave jo të kënaqshme në struktura me standarde më të ulëta, çka tregon se perceptimi i cilësisë në afatgjatë lidhet drejtpërdrejt me rezultatet dhe sigurinë, jo me koston fillestare.
Evolucioni i kostove
Si kanë evoluar kostot e ndërhyrjeve estetike në vitet e fundit, duke marrë parasysh rritjen e çmimeve të materialeve mjekësore, teknologjisë dhe pagat e mjekëve dhe sa nga kjo rritje është reflektuar te pacienti?
Në vitet e fundit, kostot e ndërhyrjeve estetike kanë shënuar rritje të ndjeshme, kryesisht si pasojë e faktorëve objektivë të tregut ndërkombëtar. Çmimet e materialeve mjekësore, përfshirë këtu implantet, pajisjet kirurgjikale njëpërdorimshme dhe teknologjitë e avancuara janë rritur ndjeshëm. Po ashtu, investimi në aparatura moderne, mirëmbajtje teknike, standarde sterilizimi dhe staf të kualifikuar ka sjellë rritje të kostos operative. Edhe pagat e profesionistëve shëndetësorë kanë evoluar, si reflektim i specializimit, përgjegjësisë dhe nevojës për të ruajtur ekipe të qëndrueshme me nivel të lartë ekspertize.
Ne kemi zgjedhur të mos komprometojmë standardin për të mbajtur çmime artificialisht të ulëta. Një pjesë e rritjes së kostove është reflektuar te pacienti, por në mënyrë të balancuar dhe transparente.
Turizmi shëndetësor estetik
Sa peshë ka sot turizmi shëndetësor estetik në aktivitetin tuaj total dhe a e shihni atë si një prirje afatgjatë për tregun shqiptar?
Turizmi shëndetësor estetik përbën sot një komponent të rëndësishëm të aktivitetit total. Një pjesë domethënëse e pacientëve tanë vjen nga diaspora shqiptare në Europë, por edhe nga vende të tjera të rajonit, të cilët zgjedhin të kryejnë ndërhyrjet në Shqipëri, për shkak të kombinimit të standardeve profesionale, kohës së reduktuar të pritjes dhe raportit të arsyeshëm cilësi–kosto.
Kjo rritje nuk është e rastësishme. Ajo lidhet me disa faktorë kyç: rritjen e besimit ndaj strukturave të konsoliduara private, përmirësimin e infrastrukturës mjekësore dhe ekspozimin ndërkombëtar përmes platformave digjitale. Megjithatë, turizmi estetik nuk mund të mbështetet vetëm te çmimi konkurrues. Qëndrueshmëria afatgjatë varet nga ruajtja e standardeve të larta kirurgjikale, transparenca klinike, protokollet e sigurisë dhe ndërtimi i reputacionit profesional.
Ne e shohim turizmin shëndetësor estetik si një prirje afatgjatë për tregun shqiptar, por vetëm nëse zhvillohet mbi bazën e cilësisë dhe jo të konkurrencës agresive me kosto të ulët. Shqipëria ka potencial real për t’u pozicionuar si destinacion rajonal serioz në kirurgjinë estetike, por kjo kërkon përgjegjësi institucionale dhe standardizim të vazhdueshëm.
