KLGJ ankohet në Kuvend për buxhet të pamjaftueshëm për sigurinë në gjykata
Mungesa e sigurisë në gjykata ka ngritur shqetësim të madh, veçanërisht pas vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja, ngjarje e rëndë që ndodhi më 6 tetor në qendër të Tiranës, pranë Gjykatës së Apelit dhe jo larg Kuvendit.
Të martën, gjatë debatit në Kuvend për projektbuxhetin e qeverisë për vitin 2026, çështja e sigurisë në gjykata u bë temë diskutimi. Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) ka shprehur pakënaqësi, pasi Ministria e Financave nuk ka plotësuar kërkesën për 340 milionë lekë të reja të destinuara për këtë qëllim.
Kryetari i KLGJ-së, Ilir Rusi, gjatë një paraqitjeje para Komisionit për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike, theksoi nevojën për pajisje të tilla si detektorë dhe skanera. Ai sqaroi se fondi i alokuar vetëm për vitin 2023 për këto elementë nuk ka mjaftuar dhe procedurat e prokurorimit nuk kanë përfunduar.
“Bëhet fjalë për çdo element të sigurisë, detektorë, skanera, e elementë të tjerë që nuk i kemi marrë. Ky fond është marrë vetëm në 2023, por procedurat e prokurorimeve nuk kanë përfunduar. Tek ajo që kërkojmë përfshihet dhe 340 milionë për sigurinë në gjykata,” tha Rusi.
Edhe pse buxheti për KLGJ është rritur, Rusi deklaroi se fondi i miratuar është 26% më pak se ai i kërkuar, pasi Ministria e Financave refuzoi kërkesën prej 2 miliardë lekësh, e cila parashikonte investime në infrastrukturën e godinave dhe përmirësimin e sigurisë.
Ai shtoi se investimet në infrastrukturë dhe siguri duhet të bëhen paralelisht. Për të ilustruar sfidat, Rusi tha: “Mund të çojmë një detektor, por kur s’ka vend ku të vendoset ska vlerë.”
Megjithatë, Rusi theksoi se edhe nëse fondi i plotë nuk miratohet, KLGJ ka parashikuar të dedikojë 57 milionë lekë nga fondet për investime drejt sigurisë, siç ka ndodhur edhe në vitet e kaluara.
Kryetari i KLGJ-së u shpreh i shqetësuar edhe për mungesën e trojeve për ndërtimin e godinave të reja gjyqësore në rrethe, si pjesë e reformës gjyqësore, si dhe për vendosjen në dispozicion të godinave ekzistuese për shërbimet gjyqësore.
Shtimi i 100 specialistëve shtesë për gjykatat, miratuar nga ministria, gjithashtu nuk ka plotësuar kërkesën e KLGJ-së, e cila ishte dyfishi i këtij numri.
Kërkesat e KLGJ-së u mbështetën nga përfaqësues të mazhorancës dhe opozitës. Komisioni u kërkoi Ministrisë së Financave të shqyrtojë mundësinë e plotësimit të tyre përpara miratimit të buxhetit.
Kryetari i komisionit, Ulsi Manja, sugjeroi që Ministria e Financave t’i kushtojë vëmendje sigurimit të numrit më të madh të punonjësve për KLGJ, kur të miratohet numri i përgjithshëm i punonjësve me kontratë. “Është fati i 140 mijë familjeve që presin nga dosjet stok,” argumentoi ai, duke theksuar rëndësinë e shtimit të stafit për gjykatat si një shërbim publik kyç.
Lidhur me fondin e investimeve, Manja përmendi mosrealizimin e zërit të investimeve të parashikuara për vitin 2025, ku vetëm 9.1% e fondit të akorduar ishte shpenzuar deri më tani. Megjithatë, ai la detyrë përfaqësuesve të ministrisë dhe relatorit të buxhetit që të shqyrtohet mundësia e akordimit të buxhetit për sigurinë në gjykata. “Duhet të dakordësojmë buxhetimin në këtë zë, na takon që ta mbështesim KLGJ, siguria në gjykata është primare,” deklaroi ai.
Nënkryetari opozitar i komisionit, Oerd Bylykbashi, gjithashtu mbështeti kërkesat e KLGJ-së dhe i bëri thirrje komisionit të Ligjeve të ushtrojë presion ndaj qeverisë për plotësimin e tyre. “Qeveria të heqë dorë nga shpenzime luksi dhe këto para t’i transferohen KLGJ-së. Është thelbësore që sistemi i drejtësisë të funksionojë pa kthyer kokën në siklet nëse qeveria i jep para apo jo,” përfundoi ai.