KLGJ kërkon siguri më të lartë në gjykata pas vrasjes

Vrasja e gjyqtarit Kalaja / KLGJ i drejtohet institucioneve shtetërore

Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) i ka dërguar një kërkesë institucioneve shtetërore, duke përfshirë Kuvendin, Ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit, për marrjen e masave të nevojshme për rritjen e sigurisë në gjykata.

Në kërkesën e tyre, KLGJ thekson nevojën për vendosjen e forcave të policisë me prezencë të përhershme në të gjitha gjykatat e vendit, shoqëruar me një plan të detajuar sigurie. Po ashtu, kërkohet që gjykatat të klasifikohen si institucione të rëndësisë së veçantë.

Sipas KLGJ-së, ky plan duhet të finalizohet sa më shpejt të jetë e mundur dhe të shërbejë si bazë për ristrukturimin e plotë të sistemit të sigurisë në gjykata.

Shkresa e plotë e KLGJ-së kërkon ndërhyrje urgjente për:

  • Vendosjen e Policisë së Shtetit në të gjitha gjykatat, me prezencë të përhershme, personel të trajnuar dhe plan të dedikuar sigurie.
  • Sigurimin e mbështetjes buxhetore dhe përmirësimin e infrastrukturës së sigurisë.
  • Klasifikimin e gjykatave si institucione të rëndësisë së veçantë.
  • Rishikimin e kuadrit ligjor dhe nënligjor që rregullon sigurinë në gjykata, për të përcaktuar qartë kompetencat, përgjegjësitë dhe burimet financiare ndërinstitucionale.
  • Rishikimin e plotë të protokolleve të hyrjes dhe daljes në gjykata, duke përfshirë procedurat e kontrollit për palët, dëshmitarët dhe të pandehurit.

Këshilli i Lartë Gjyqësor u bën thirrje Kuvendit të Shqipërisë dhe Këshillit të Ministrave që, në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme, Ministrinë e Drejtësisë dhe Policinë e Shtetit, të hartojnë një Plan Kombëtar për Sigurinë në Gjykata. Ky plan duhet të përcaktojë përgjegjësitë e secilit institucion, afatet e zbatimit, burimet financiare si dhe mekanizmat e kontrollit dhe raportimit.

KLGJ shprehet i gatshëm të bashkëpunojë ngushtë me të gjitha institucionet përkatëse dhe të kontribuojë me ekspertizën e tij në hartimin e këtij dokumenti strategjik.

Scroll to Top