KLGJ reagon ndaj presionit ndaj gjyqtarëve

Pagat e gjyqtarëve/ KLGJ reagon: Po ushtrohet presion duke cenuar dinjitetin

Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) ka reaguar ndaj shtimit të presionit ndaj gjyqtarëve dhe sistemit gjyqësor. Nëpërmjet një deklarate, KLGJ shpreh mirëkuptimin për qëndrimet dhe opinionet kritike të funksionarëve publikë apo subjekteve private, veçanërisht nga mediat, të cilat kontribuojnë në rritjen e transparencës dhe efektivitetit të sistemit gjyqësor.

Megjithatë, KLGJ thekson se kohët e fundit, me shqetësim konstatohet një tendencë në rritje e “trysnisë” ndaj gjyqtarëve dhe gjyqësorit. Gjithashtu, evidentohen disa qëndrime apo deklarata me ndikim të dukshëm në informimin e opinionit publik, të cilat jo vetëm shkelin të drejtat njerëzore të gjyqtarëve në ushtrimin e detyrës, por gjithashtu rrezikojnë seriozisht kryerjen e funksioneve të tyre ligjore.

Këshilli i Lartë Gjyqësor rithekson se qëndrime të tilla cenojnë figurën dhe dinjitetin e gjyqtarëve, duke minuar kështu pavarësinë e pushtetit gjyqësor. Në respekt të detyrës së tij kushtetuese, KLGJ mbron integritetin e gjyqtarëve dhe të sistemit gjyqësor, duke u bërë thirrje palëve të shmangin deklarata të tilla, të cilat tentojnë të ndikojnë mbi sistemin gjyqësor.

Deklarata e plotë vijon duke shpjeguar se, si në çdo shoqëri demokratike, gjyqtarët janë garantues të barazisë së palëve para ligjit. Për këtë arsye, ushtrimi i funksionit të tyre duhet të jetë i pavarur dhe i lirë nga çdo formë ndikimi, duke u nënshtruar vetëm Kushtetutës dhe ligjeve.

KLGJ i kujton opinionit publik se respekton misionin e pazëvendësueshëm të medias për informimin, por nga ana tjetër pret që edhe mediat të respektojnë dinjitetin e gjykatës dhe të gjyqtarit, duke mos përcjellë informacion që përmban gjuhë apo imazhe fyese.

Këshilli u bën thirrje të gjithë subjekteve publike dhe private të respektojnë pavarësinë e gjyqësorit si një nga themelet e shtetit të së drejtës. Ai thekson se e vetmja rrugë për të kundërshtuar një vendim gjyqësor është përmes mjeteve procedurale të parashikuara nga ligji, duke u ankuar në një gjykatë më të lartë. Gjithashtu, çdo ankesë apo pretendim lidhur me sjelljen apo integritetin e një gjyqtari duhet të adresohet pranë institucioneve përkatëse.

Scroll to Top