KLSH bllokohet: Institucionet publikë pengojnë auditimet

Kreu i KLSH: Institucionet po na bllokojnë proceset audituese

Audituesit e Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH) po pengohen nga institucionet publike për të pasur akses në databazën e të dhënave të tyre, të nevojshme për procesin e auditimit. Ky shqetësim u shpreh të mërkurën në Kuvend nga kryetari i KLSH-së, Arben Shehu, i cili nuk përmendi me emër institucionet specifike.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve lidhur me tejkalimin e afateve ligjore të auditimeve, Shehu sqaroi se ky vonesë nuk i atribuohet punës së audituesve, por më tepër institucioneve që janë subjekt i auditimit.

“Kemi auditime në proces dhe nuk mund të ecim përpara për shkak të mosdhënies së aksesit nga institucioni që është në auditim,” tha Shehu në Komisionin e Ekonomisë. Ai shtoi se ky veprim përfaqëson “një bllokim të procesit ligjor pa asnjë logjikë dhe përgjigje”.

Deputeti i Partisë Demokratike, Enno Bozdo, pyeti se çfarë zgjidhjesh sugjeronte Shehu për adresimin e problemit dhe nëse Kuvendi mund të ndërmerrte masa ndaj zyrtarëve shtetërorë që shmangin përgjegjësitë ligjore.

“Ligji është i qartë, nevoja është për zbatimin e tij,” u përgjigj kreu i KLSH-së. Ai njoftoi komisionin se do të ndiqte rrugë institucionale për rastet konkrete të pengimit të punës së audituesve.

Në një moment tjetër, Shehu adresoi edhe ankesat e punonjësve dhe ish-punonjësve të KLSH-së, të cilët sipas tij, ishin hasur vështirësi për të audituar punën e kryeministrit. Ai iu referua një letre-ankese të dorëzuar në komision, ku kërkohej “suporti i Kuvendit për KLSH-në që të kishte mundësinë të auditojë punën e kryeministrit”.

Kryetarja e komisionit, Milva Ikonomi, duke pranuar shqetësimin e punonjësve të KLSH-së, kërkoi që kjo çështje të trajtohej në një mbledhje tjetër, ndërsa fokusi i mbledhjes aktuale të ishte raportimi i KLSH për punën e tij gjatë vitit 2024.

Shehu nënvizoi rëndësinë e komunikimit të vazhdueshëm mes KLSH-së dhe Kuvendit për adresimin e problematikave, duke e cilësuar si një përvojë të mirë një nënkomision të posaçëm që u ngrit në legjislaturën e kaluar për të trajtuar zbatimin e rekomandimeve të auditimeve të KLSH-së nga administrata publike.

Duke paraqitur një pasqyrë të përgjithshme të auditimeve për vitin 2024, Shehu bëri të ditur se ishin kryer 159 auditime në të gjitha nivelet e qeverisjes. Ai informoi se për shkeljet e evidentuara, KLSH kishte bërë 13 kallëzime penale dhe kishte dhënë 4378 rekomandime për masa disiplinore, administrative dhe financiare.

Pyetjet e deputetëve të mazhorancës dhe opozitës u fokusuan kryesisht tek çështje specifike, veçanërisht sa i përket auditimeve të kontratave koncensionare. Për shumicën e këtyre çështjeve, Shehu tha se auditimet ishin ende në proces dhe sugjeroi që rezultatet e tyre të diskutoheshin në seanca të posaçme, me kërkesë të Kuvendit.

Scroll to Top