“`html
Kodi i ri Penal, Lamallari mbledh avokatët: Kontributi juaj është i domosdoshëm
Në Ministrinë e Drejtësisë u zhvillua sot tryeza e radhës konsultuese për draftin e Kodit të ri Penal, me pjesëmarrjen e Dhomës Kombëtare të Avokatisë. Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, në fjalën e tij theksoi se procesi po zhvillohet me transparencë, gjithëpërfshirje, debat profesional dhe me përfshirjen e ekspertizës më të mirë që Shqipëria ka në fushën e së drejtës.
“Drafti i ri ka për synim të modernizojë politikën penale, të forcojë proporcionalitetin e dënimeve, të rrisë parashikueshmërinë dhe qartësinë dispozitive, t’i japë sistemit penal mjete efektive, të balancuara dhe moderne. Ai harmonizohet me acquis communautaire dhe praktikat europiane, në përputhje me objektivin tonë strategjik të anëtarësimit në BE,” tha Lamallari.
Ai shtoi se një nga shtyllat ku përqendrohet drafti dhe ku kontributi i avokatëve është thelbësor, është grupi i veprave penale që lidhen me funksionimin e sistemit të drejtësisë, autoritetin e vendimeve gjyqësore, proceset gjyqësore dhe aktorët e tyre.
Sipas ministrit, forcimi i mbrojtjes penale të sistemit të drejtësisë nuk është vetëm në interes të institucioneve, por mbi të gjitha në interes të qytetarëve, të së drejtës për një proces të rregullt ligjor dhe të besimit publik te drejtësia. Ai nënvizoi se pa një sistem gjyqësor që funksionon normalisht, me integritet dhe autoritet të padiskutueshëm, nuk ka siguri juridike, nuk ka ekonomi të qëndrueshme dhe nuk ka shtet të së drejtës.
Lamallari vlerësoi lart rolin e avokatëve në këtë proces dhe kërkoi përfshirjen e tyre me kontribute reale.
“Avokatët janë një komunitet profesional tejet i rëndësishëm sepse ju shihni çdo ditë në praktikë çfarë funksionon dhe çfarë nuk funksionon; hasni boshllëqe, paqartësi, disproporcionalitete dhe përballeni me realitetin e zbatimit të normës penale. Prandaj kontributi juaj nuk është vetëm i mirëseardhur, por i domosdoshëm,” u shpreh ai.
Ministri theksoi se avokatët janë zëri i qytetarëve në sallën e gjyqit, janë garantues të të drejtave dhe lirive, dhe kanë perspektivën më të çmuar për të identifikuar problematika praktike që një tekst ligjor duhet t’i parandalojë. Ai shtoi se presin prej tyre komente konkrete, propozime të argumentuara, sugjerime për balancimin e masave penale, shembuj krahasimorë dhe modele të praktikës më të mirë, si dhe dispozita të shkruara prej tyre. Kjo, sipas tij, përbën një kontribut real që vlen më shumë sesa komentet gjeneraliste.
“Çdo vërejtje e juaja do të merret në konsideratë, me transparencë dhe vlerësim maksimal. Objektivi ynë sot është që së bashku të qartësojmë dispozitat e draftit, të identifikojmë çështjet ku nevojiten riformulime, të diskutojmë harmonizimin me standardet europiane, të testojmë koherencën dhe proporcionalitetin e politikës së re penale, si dhe të rrisim cilësinë e tekstit përpara kalimit në fazën e finalizimit. Kjo tryezë është një moment kyç për të konsoliduar kapitullin penal të Shqipërisë dhe për të vendosur themele të qëndrueshme për dekadat e ardhshme,” përfundoi ministri Lamallari.
Tryezat konsultative për draftin e Kodit të ri Penal do të vijojnë sipas kalendarit të dakordësuar më parë prej kur nisi ky proces.
“`
