Kodit të ri Penal: Heqja e nenit “shpërdorim detyre” dhe “konspiracioni”

Kodi i ri Penal, a do të hiqet neni “shpërdorim detyre” për zyrtarët?

Në Kodin e ri Penal, mazhoranca mund të jetë duke synuar heqjen e nenit “shpërdorim detyre”, me shpresën se kjo do të mundësojë shmangien e proceseve gjyqësore ndaj zyrtarëve publikë që abuzojnë me postin. Kjo temë është diskutuar vazhdimisht edhe kur nisi punën Komisioni i Posaçëm, i drejtuar një vit më parë nga Fatmir Xhafaj. Megjithatë, deri më tani nuk ka asnjë informacion zyrtar lidhur me këtë çështje, ndërkohë që vijojnë tryezat konsultative për draftin e Kodit Penal që po përgatitet.

Një nga dispozitat e reja të përfshira në draft është “konspiracioni për korrupsion”, një nen i cili do të dënojë edhe përgatitjen ose sigurimin e kushteve për kryerjen e veprës penale të korrupsionit. Megjithatë, drafti është ende paraprak dhe pritet një proces i gjatë deri në miratimin e tij përfundimtar në Kuvend, në fund të vitit të ardhshëm.

Sot, në Ministrinë e Drejtësisë, u zhvillua tryeza e 16-të konsultative dhe ndërinstitucionale për draftin e Kodit të ri Penal. Fokusi i kësaj here ishte në veprat penale kundër veprimtarisë shtetërore të kryera nga zyrtarët publikë ose në shërbim publik, si dhe kundër veprimtarisë shtetërore të kryera nga shtetasit. Të pranishëm ishin Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, dhe Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni.

Në fjalën e tij, Ministri i Drejtësisë theksoi se përmes këtyre tryezave synohet një konsultim sa më i gjerë me të gjithë aktorët.

“Ministria e Drejtësisë garanton një proces gjithëpërfshirës dhe transparent. Ne besojmë fort se në përfundim të kësaj faze të parë të konsultimit të gjerë, grupi i punës do të ketë mundësinë që të gjitha komentet e ardhura me shkrim apo gjatë këtyre tryezave të përpunohen dhe shqyrtohen me kujdes. Më pas do të jepet mundësia për një raund të dytë konsultimesh. Besoj fort se në finale, ne do të kemi një produkt shumë cilësor, i cili garanton përshtatjen me nevojat dhe evoluimin e jurisprudencës, duke harmonizuar këtë Kod të ri Penal me standardet më të mira ndërkombëtare dhe Acquis Communautaire të Bashkimit Europian”, tha ministri Lamallari.

Ministrja Adea Pirdeni evidentoi në fjalën e saj disa nga dispozitat që lidhen drejtpërdrejt me punën e administratës dhe që duhen adresuar për të pasur në fund një Kod të ri Penal me standarde të larta dhe që t’i rezistojë kohës.

“Kodi i ri Penal të jetë në përputhje jo vetëm me standardet më të mira aktuale, vendore dhe europiane, por mbi të gjitha, të garantojë që t’i përshtatet realitetit ligjor, social dhe ekonomik në Republikën e Shqipërisë. Nuk ka asnjë mënyrë tjetër, veçse të reflektohen në Kod ato fenomene që janë sot prezente në shoqërinë tonë dhe në punën e administratës publike, dhe që kërkojnë një adresim të veçantë”, deklaroi ministrja Pirdeni.

Scroll to Top