Kombëtarja Shqiptare Fillon Stërvitjet për Play-off

Kombëtarja fillon stërvitjen me tre mungesa, njëra prej tyre për një arsye të veçantë

Kombëtarja shqiptare e futbollit ka nisur sot përgatitjet në kryeqytet për pjesëmarrjen për herë të parë në play-off për Kupën e Botës. Lojtarët, të drejtuar nga trajneri Silvinjo, zhvilluan seancën e parë stërvitore në ambientet e Shtëpisë së Futbollit.

Në këtë seancë ishte e pranishme shumica e lojtarëve të grumbulluar, por munguan tre prej tyre. Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) njoftoi se Myrto Uzuni dhe Nazmi Gripshi nuk kanë arritur ende dhe do t’i bashkohen ekipit sot, për shkak të itinerareve të gjata të udhëtimit nga vendet ku luajnë.

Ndërkohë, Ylber Ramadani nuk mori pjesë në stërvitjen e sotme për një arsye të veçantë. Pikërisht sot, mesfushori i Kombëtares është bërë baba për herë të tretë, prandaj është vendosur që ai të udhëtojë më vonë se sa ishte planifikuar fillimisht.

Seanca e sotme u nda mes punës në fushën stërvitore dhe palestrës për lojtarët që kishin luajtur ditën e djeshme. Nga dita e nesërme, pritet që ekipi të fokusohet plotësisht në aspektin taktik të ndeshjes së të enjtes kundër Polonisë. Kjo do të jetë stërvitja e fundit në Shqipëri, para udhëtimit drejt Varshavës të mërkurën.

Scroll to Top