Hën. Sht 24th, 2018

Kompania “Prendi 02”, shfrytëzim të paligjshëm në lumin Fan

“Fiks Fare” ka denoncuar këtë të premte situatën e krijuar në lumin Fan, ku një kompani gërryen në mënyrë të jashtëligjshme materiale inerte.

Sipas të dhënave nga institucionet rezulton se kompania “Prendi 02” nuk ka leje shfrytëzimi. Ajo ka vetëm leje rehabilituese, por edhe kjo e fundit po hetohet në Prokurorinë e Lezhës, pasi rezulton se nuk është zbatuar nga ana e saj.

Gërryerja e lumit bëhet çdo ditë, gjatë paradites. Kamera e emisionit “Fiks Fare” ka filmuar ekskavatorët që gërmojnë, si dhe automjetet që transportojnë materialin inert.

Banorët e zonës përreth pohojnë se, fshati që ndodhet shumë pranë këtij lumi përmbytet çdo vit.

“Kjo është shtëpia ime. Kuzhina që ju shihni përmbytet çdo vit. Unë çdo vit hedh parà këtu. Kanë ardhur nga bashkia, por asgjë, kanë verifikuar dhe kanë ikur. Shihni, kjo është toka që përmbytet çdo vit. Unë vetë me paratë e mia kam bërë këtë kanal që të shkarkohet uji, pasi këtu në dimër, në kohë shirash është e pamundur të jetohet”, tregon një nga banorët.

“Fiks Fare” i është drejtuar Inspektoratit të Mjedisit, Pyjeve dhe Ujërave në Lezhë. Kryeinspektorja Anisa Frroku shpjegon se firma “Prendi 02” ka vetëm leje rehabilitimi dhe jo shfrytëzimi.

“Ne kemi inspektuar në atë kompani dhe rezulton që kjo firmë ka vetëm leje rehabilituese. Nëse materiali, pra zhavorri del jashtë kantierit nuk quhet rehabilitim. Nga inspektimi rezulton se nuk është realizuar mbjellja e fidanëve, e përcaktuar në studim, si dhe nuk është paraqitur harta genplan e azhornuar”, tha Frroku.

“Fiks Fare” i është drejtuar Basenit Ujor Lezhë. Drejtuesi Bujar Shpendi shpjegoi për “Fiks Fare” se rehabilitimi po kryhet në mënyrë të çrregullt. Ai tha se ndaj kësaj kompanie është nisur një hetim për lejen rehabilituese nga Prokuroria e Lezhës.

“Ne kemi vajtur atje, kemi inspektuar. Ata po kryejnë një rehabilitim të çrregullt, që do të thotë se nuk janë në përputhje me rregullat. Di që Prokuroria e Lezhës është duke e hetuar, ndërkohë ka pasur edhe kërkesa për ta shfuqizuar lejen rehabilituese, por janë rrëzuar dhe tani po merret Prokuroria”, u shpreh ai.

“Fiks Fare” mori një përgjigje edhe nga Prokuroria e Lezhës. Nëpërmjet një shkrese zyrtare që në vitin 2017, Policia ka dorëzuar pranë saj disa materiale për hetim, që kanë të bëjnë me masakrën mjedisore që po bëjnë disa kompani në shtratin e lumit Mat. Ndër to rezulton të jetë edhe “Prendi 02”. Sipas Prokurorisë, në kuadër të hetimeve aktualisht po verifikohen të gjitha lejet e dhëna.

InfoPasqyra/tch

Kategori