Kompensimi për fëmijët nga DIVA: Si të verifikoni nëse jeni përfitues
Administrata Tatimore ka njoftuar se ka vënë në dispozicion një mjet për të verifikuar nëse përfitoni rimbursim për fëmijët nën 18 vjeç dhe për shpenzimet arsimore. Ky mjet, i cili përfshihet në kuadër të Deklaratës Individuale Vjetore të të Ardhurave (DIVA), ju mundëson të merrni një përgjigje orientuese për plotësimin e kushteve.
Tatimet sqarojnë se, përmes një pyetësori të shkurtër dhe të thjeshtë, individët e interesuar mund të marrin menjëherë një përgjigje orientuese nëse plotësojnë kushtet për përfitim. Për individët që do të rezultojnë përfitues, më tej duhet të aplikojnë për rimbursim, nëpërmjet një kërkese që plotësohet në sistemin e-Filing.
Afati për plotësimin e Deklaratës Individuale Vjetore të të Ardhurave (DIVA) 2025 është data 31 mars 2026.
PYETËSORI I TATIMEVE PËR VERIFIKIMIN E KUSHTEVE TË PËRFITIMIT TË KOMPENSIMIT
- A përfitoj rimbursim për numrin e fëmijëve dhe shpenzimet arsimore në deklaratën DIVA-2025?
- A keni fëmijë në ngarkim nën moshën 18 vjeç? (Po / Jo)
- A jeni familjari me të ardhurat më të larta në familje? (Po / Jo)
- Sa është totali i të ardhurave bruto vjetore nga të gjitha burimet për vitin 2025?
- Më pak se 1 200 000 lekë
- Më shumë ose baraz me 1 200 000 lekë
Pas plotësimit të pyetësorit, nëse individi përmbush kushtet për rimbursim, tatimet vijojnë me sqarimin e procedurave:
- Ju mund të aplikoni për rimbursim në sistemin e-Filing.
- Sigurohuni të deklaroni llogaritë tuaja bankare në e-Filing.
- Sigurohuni që në çështjen “Pyetje e përgjithshme” të ngarkoni dokumentat e nevojshme.
INFO PËR APLIKIMIN NË E-FILING:
- Për të shtuar llogarinë tuaj bankare, drejtohuni te “eFiling im” → “Profili im” → “Detajet e bankës” dhe klikoni butonin “Shto një llogari bankare”.
- Për të dërguar kërkesën për rimbursim, krijoni një çështje “Pyetje e përgjithshme” te “eFiling im” → “Çështjet e mia”.
- Sigurohuni të ngarkoni dokumentet: çertifikatë familjare dhe numrin e llogarisë bankare.
Kush përfiton kompensim
Kompensim përmes DIVA përfitojnë individët që kanë fëmijë në ngarkim të moshës nën 18 vjeç, por që pas plotësimit dhe dorëzimit të DIVA-s, rezultojnë me tatim të mbipaguar.
Sistemi në deklaratën DIVA llogarit automatikisht tatimin e mbipaguar pas zbritjes së shpenzimeve. Këto zbritje janë 48 mijë lekë për çdo fëmijë në ngarkim, bazuar në të ardhurat bruto vjetore. Për të ardhurat nën 1.2 milionë lekë, aplikohet edhe një zbritje shpenzimesh shtesë prej 100 mijë lekë.
Nëse rezulton me tatim të mbipaguar, kompensimi do të përfithet në llogarinë e deklaruesit pasi të jetë bërë aplikimi në e-Tax.
Sipas analizave, kompensimi ndryshon në varësi të të ardhurave vjetore dhe shumës së zbritur të shpenzimeve, e cila varet nga numri i fëmijëve në ngarkim dhe shpenzimet fikse për arsim (deri në 100 mijë lekë për të ardhura nën 1.2 milionë lekë në vit).
Disa shembuj:
- Për të ardhura bruto vjetore mbi 1.2 milionë lekë me 1 fëmijë në ngarkim, kompensimi për arsimin është rreth 62 euro në vit.
- Për individë me të ardhura mbi 2 milionë lekë në vit dhe dy fëmijë nën 18 vjeç, pas zbritjes së shpenzimeve, tatimi i mbipaguar (kompensimi) është rreth 12 mijë lekë.
- Për individët e paguar mbi 200 mijë lekë në muaj dhe me tatim 23%, kompensimi është 11,040 lekë për fëmijë.
- Shuma maksimale e kompensimit, sipas shembujve, arrin 250 euro për individët me të ardhura nën 1.2 milionë lekë, të cilët përfitojnë si zbritje për fëmijët ashtu edhe për shpenzimet arsimore.
Përveç individëve me fëmijë në ngarkim, kompensim do të përfitojnë edhe ata individë që nuk kanë fëmijë në ngarkim, por nga rillogaritja vjetore e tatimit rezultojnë me mbipagesë.
DIVA mund të plotësohet edhe nga individë me të ardhura nën 1.2 milionë lekë në vit, edhe nëse nuk kanë detyrimin për deklarim, për të përfituar kompensimin për arsimin e fëmijëve.
Kompensimi për fëmijët do të përftohet nga individët që do të rezultojnë me tatim të mbipaguar pas rillogaritjes së tatimit dhe zbritjes së shpenzimeve. Diferenca e tatimit vjetor të paguar gjatë 2025 do të jepet si kompensim për fëmijët.
Vlera e kompensimit llogaritet automatikisht nga sistemi e-Tax, edhe për ata individë që nuk kanë detyrimin ta bëjnë deklarimin.
Administrata Tatimore vlerëson se fondi total për kompensimin do të jetë mbi 15 milionë Euro.
