“`html
Kompensimi për fëmijët nga DIVA: Tatimet ofrojnë pyetësor online për verifikimin e kushteve të përfitimit
Administrata Tatimore ka njoftuar disponueshmërinë e një shërbimi të ri online, i cili synon të ndihmojë individët të verifikojnë nëse plotësojnë kushtet për të përfituar rimbursim për fëmijët në ngarkim nën 18 vjeç dhe për shpenzimet arsimore.
Tatimet sqarojnë se, përmes një pyetësori të shkurtër dhe të thjeshtë, individët e interesuar mund të marrin menjëherë një përgjigje orientuese rreth përfitimit. Për ata që do të rezultojnë përfitues, më tej duhet të aplikojnë për rimbursim duke plotësuar një kërkesë në sistemin e-Filing.
Afati për plotësimin e Deklaratës Individuale Vjetore të të Ardhurave (DIVA) për vitin 2025 është data 31 mars 2026.
Pyetësori i Tatimeve për Verifikimin e Kushteve të Përfitimit të Kompensimit:
- A përfitoni rimbursim për numrin e fëmijëve dhe shpenzimet arsimore në deklaratën DIVA-2025?
- A keni fëmijë në ngarkim nën moshën 18 vjeç? (Po / Jo)
- A jeni familjari me të ardhurat më të larta në familje? (Po / Jo)
- Sa është totali i të ardhurave bruto vjetore nga të gjitha burimet për vitin 2025?
- Më pak se 1 200 000 lekë
- Më shumë ose baraz me 1 200 000 lekë
Pas plotësimit të pyetësorit, nëse individi përmbush kushtet për rimbursim, Tatimet vijojnë me sqarimin e procedurave:
- Mund të aplikoni për rimbursim në sistemin e-Filing.
- Sigurohuni të deklaroni llogaritë tuaja bankare në e-Filing.
- Ngarkoni dokumentet e nevojshme në çështjen “Pyetje e përgjithshme”.
Info:
- Për të shtuar llogarinë tuaj bankare, drejtohuni te “eFiling im” → “Profili im” → “Detajet e bankës” dhe klikoni “Shto një llogari bankare”.
- Për të dërguar kërkesën për rimbursim, krijoni një çështje “Pyetje e përgjithshme” te “eFiling im” → “Çështjet e mia”.
- Ngarkoni dokumentet: certifikatë familjare dhe numrin e llogarisë bankare.
Kush përfiton kompensim:
Kompensim përmes DIVA përfitojnë individët që kanë fëmijë në ngarkim të moshës nën 18 vjeç dhe të cilët, pas plotësimit dhe dorëzimit të DIVA-s, rezultojnë me tatim të mbipaguar.
Sistemi në deklaratën DIVA llogarit automatikisht tatimin e mbipaguar pas zbritjes së shpenzimeve. Këto zbritje përfshijnë 48 mijë lekë për çdo fëmijë në ngarkim nga të ardhurat bruto vjetore, si dhe zbritje shpenzimesh deri në 100 mijë lekë nëse të ardhurat janë nën 1.2 milionë lekë.
Nëse rezulton me tatim të mbipaguar, kompensimi do të përfithet në llogarinë e deklaruesit pasi të jetë bërë aplikimi në e-Tax.
Bazuar në shembujt e publikuar, kompensimi ndryshon në varësi të të ardhurave vjetore dhe shumës së zbritur të shpenzimeve, e cila varet edhe nga numri i fëmijëve në ngarkim, duke përfshirë shpenzimet fikse për arsim deri në 100 mijë lekë nëse të ardhurat janë nën 1.2 milionë lekë në vit.
Për rastin me të ardhura bruto vjetore mbi 1.2 milionë lekë dhe me 1 fëmijë në ngarkim, kompensimi për arsimin llogaritet rreth 62 euro në vit.
Në rastin e individëve me të ardhura mbi 2 milionë lekë në vit dhe dy fëmijë në ngarkim nën 18 vjeç, pas zbritjes së shpenzimeve, tatimi i mbipaguar apo kompensimi arrin rreth 12 mijë lekë.
Për individët që paguhen mbi 200 mijë lekë në muaj dhe u kap tatimi prej 23%, kompensimi është 11,040 lekë për fëmijë.
Shuma maksimale e kompensimit sipas shembujve rezulton për individët me të ardhura nën 1.2 milionë lekë, të cilët përfitojnë edhe zbritjen për fëmijët dhe për arsimin, me vlerë deri në 100,000 lekë. Për këtë kategori, kompensimi arrin deri në 250 euro.
Përveç individëve me fëmijë në ngarkim nën 18 vjeç, kompensim do të përfitojnë edhe ata individë që nuk kanë fëmijë në ngarkim, por që nga rillogaritja vjetore e tatimit rezultojnë me mbipagesë.
Me qëllim përfitimin e kompensimit për arsimin e fëmijëve, DIVA mund të plotësohet edhe nga individë me të ardhura nën 1.2 milionë lekë në vit, edhe nëse nuk kanë detyrimin ligjor për të plotësuar deklaratën.
Kompensimi për fëmijët do të përfitohet nga individët që do të rezultojnë me tatim të mbipaguar, pas rillogaritjes së tatimit dhe zbritjes së shpenzimeve nga baza e tatueshme.
Diferenca e tatimit vjetor të paguar gjatë 2025, pas rillogaritjes dhe zbritjes së bazës së tatueshme, do të jepet si kompensim. Vlera e kompensimit llogaritet automatikisht nga sistemi.
Sistemi e-Tax llogarit automatikisht vlerën e kompensimit pas deklarimit të të ardhurave, edhe për ata individë që nuk kanë detyrimin ta bëjnë këtë deklaratë.
Administrata Tatimore vlerëson se fondi total për kompensimin do të jetë mbi 15 milionë Euro.
“`
