Konfindustria kërkon ulje taksash dhe rregullim tregu karburantesh

Vendimi i Bordit të Transparencës për karburantet/Konfindustria: Të ulet barra fiskale

Konfindustria mbështet vendimin e ekzekutivit, të miratuar nëpërmjet Bordit të Transparencës, për vendosjen e çmimeve tavan të karburanteve në tregtinë me shumicë dhe pakicë.

Në një reagim zyrtar, Konfindustria sqaron se kjo përbën ndërhyrjen e parë të qeverisë shqiptare në tregun e karburanteve në kushtet e jashtëzakonshme të krizës aktuale.

“Të gjitha shtetet e rajonit dhe më gjerë kanë marrë masa të menjëhershme për zbutjen e pasojave të luftës së Gjirit Persik. Çmimet e vendosura të produkteve të karburanteve janë mbi 8% më të ulta, gjë që tregon qartësisht për hapësirat e gjera të spekulimeve nga operatorët e tregut dhe domosdoshmërinë e mbikëqyrjes së vazhdueshme të tregut strategjik të karburanteve”, thuhet në deklaratë.

Konfindustria i kërkon qeverisë shqiptare, që, paralelisht me mbikëqyrjen e ushtruar nga Bordi i Transparencës për parandalimin e spekulimeve në tregun e karburanteve në kushtet e sotme të jashtëzakonshme botërore, të vlerësojë me shpejtësi edhe këto propozime:

  • Uljen e përgjithshme të barrës fiskale mbi karburantet dhe të taksave vjetore të makinave, duke i sjellë ato në nivelet mesatare të shteteve të rajonit.
  • Krijimin e Entit Rregullator të Karburanteve si institucion i përhershëm mbikqyrës.
  • Rishikimin e strukturës aktuale, si në drejtimin vertikal ashtu edhe horizontal, të tregut të karburanteve, ku shfaqen elementë të qartë karteli dhe oligopoli në porte, tregti me shumicë dhe pakicë.
  • Ndërtimin e një rafinerie për përpunimin e naftës shqiptare, me qëllim plotësimin e të paktën 30% të nevojave vjetore të vendit.
Scroll to Top