Konfirmimi i gjyqtarit Julian Haxhiu mbetet në fuqi në KPA
Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA) vendosi të martën, më 12 nëntor, pushimin e çështjes së vetingut për gjyqtarin Julian Haxhiu nga Tirana. Ky vendim erdhi për shkak të heqjes dorë nga shkaqet e ankimit prej drejtuesit të SPAK, Altin Dumani.
Prokurori Adnan Xholi, i cili përfaqësoi drejtuesin e SPAK në këtë çështje, deklaroi gjatë seancës se hiqnin dorë nga shkaqet e ngritura nga Komisionerja Publike, Irena Nino. Këto shkaqe kishin të bënin me përfitimin e një kredie të butë përmes veprimesh që dukeshin fiktive, si dhe me mosdeklarimin e një sipërfaqeje toke bujqësore.
Sipas Xholit, verifikimet e kryera treguan se në momentin e aplikimit për kredinë e butë, gjyqtari Haxhiu rezultonte në certifikatën familjare vetëm me bashkëshorten dhe nuk mund të lidhej me pasuritë e prindërve. Gjithashtu, u rrëzuan dyshimet për veprime fiktive apo simuluese për marrjen e kredisë, pasi transaksionet kishin sjellë efekt juridik.
Lidhur me pretendimet e Komisioneres Publike për mosdeklarimin e tokës, Xholi konstatoi se toka ku bashkëshortja kishte pjesë takuese ishte shitur në vitin 2014. Për këtë arsye, nuk kishte pasur detyrim për deklarimin e asaj pasurie në deklaratën e vetingut, e cila ishte plotësuar më vonë.
Duke i konsideruar shkaqet të paplotësuara, u vendos heqja dorë nga ankimi.
Gjyqtari Julian Haxhiu deklaroi se kishte paraqitur në Kolegj parashtrime të detajuara për çdo shkak ankimi. Nisur nga heqja dorë nga shkaqet nga ana e drejtuesit të SPAK, Haxhiu kërkoi pushimin e çështjes dhe lënien në fuqi të vendimit të Komisionit për konfirmimin e tij.
Duke iu referuar praktikës së mëparshme, Kolegji vërejti se pas heqjes dorë nga ankimi, nuk mbetet objekt për t’u shqyrtuar. Për rrjedhojë, u vendos pushimi i çështjes dhe vendimi i Komisionit për konfirmimin në detyrë të gjyqtarit Haxhiu mori formë të prerë.