Konfirmimi i prokurorit Gentian Habazaj mbetet në fuqi
Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA) shpalli të premten, më 17 tetor, vendimin për pushimin e çështjes së vetingut të prokurorit Gentian Habazaj. Ky vendim lë në fuqi konfirmimin e tij në detyrë, të dhënë më parë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK).
Prokurori Gentian Habazaj ishte konfirmuar në detyrë më 31 janar 2024. KPK u bind nga shpjegimet e tij lidhur me barrën e provës, duke vlerësuar se prindërit e tij nuk mund të ishin në pamundësi të dhuroonin një shumë rreth 5 milionë lekë në vitin 2003, para fillimit të detyrës, si dhe për blerjen e një apartamenti në Tiranë nga prindërit, i cili përdorej nga subjekti.
Komisioneri Publik, Florian Ballhysa, e kishte ankimuar vendimin e KPK-së për Habazajn, duke argumentuar se ishte i pabazuar dhe duke ngritur çështje sa i përket pasurisë dhe profesionalizmit. Drejtuesi i SPAK, Altin Dumani, mbështeti parashtrimet e ankimit dhe kërkesën për shkarkimin e prokurorit, duke u fokusuar te problemet në kriterin e pasurisë dhe profesionalizmit.
Subjekti i kundërshtoi këto shkaqe, duke theksuar se nuk mund të penalizohet për pasuri të krijuara nga prindërit para fillimit të detyrës. Në konkluzionet përfundimtare, drejtuesi i SPAK paraqiti parashtrime të ndryshme, duke arsyetuar se pas shqyrtimit të provave dhe shpjegimeve të subjektit, konstatimet nuk sillnin shkarkim. Ai kërkoi lënien në fuqi të vendimit të KPK-së për konfirmimin e Habazajt.
Gjatë shpalljes së vendimit, Kolegji vërejti se kërkesa e drejtuesit të SPAK për lënien në fuqi të vendimit të KPK-së bëri që ankimi të mbetej pa objekt. KPA interpretoi këtë si heqje dorë nga ankimi, duke nënkuptuar mungesën e interesit të ligjshëm nga ankuesi. Për pasojë, nuk kishte më lëndë procedurale për të shqyrtuar, pasi ankimi humbi objektin e tij.
Kolegji argumentoi se vijimi i kontrollit të vendimit të KPK-së në mungesë të objektit të ankimit do të përbënte cënim të procesit të rregullt ligjor. Me shumicë votash, trupi gjykues i KPA vendosi pushimin e çështjes. Në raste të tilla, vendimi i KPK-së konsiderohet të marrë formë të prerë.
Prokurori Gentian Habazaj e ka nisur karrierën në Prokurorinë e Durrësit në vitin 2009. Më pas, ka ushtruar detyrën në prokuroritë e Beratit dhe Tiranës nga viti 2010. Aktualisht, ai është i komanduar si këshilltar pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë.