Konkurrenca miraton shkëmbim informacioni TPL në sigurime

Autoriteti i Konkurrencës miraton marrëveshjen për shkëmbimin e informacionit në sigurimet TPL

Autoriteti i Konkurrencës ka miratuar marrëveshjen e bashkëpunimit lidhur me shkëmbimin e informacionit për sigurimin e detyrueshëm të pronarit të mjetit motorik për përgjegjësinë ndaj palëve të treta (TPL). Kjo marrëveshje është vlerësuar në përputhje me Ligjin “Për mbrojtjen e konkurrencës” dhe udhëzimin përkatës të Autoritetit të Konkurrencës për vlerësimin e marrëveshjeve horizontale.

Qëllimi kryesor i kësaj marrëveshjeje, e përgatitur dhe paraqitur nga Byroja Shqiptare e Sigurimit, është lehtësimi i shkëmbimit të informacioneve mes palëve të përfshira. Ky shkëmbim synon të kontribuojë në:

  • Mbulimin e rreziqeve të policave të sigurimit të detyrueshëm për përgjegjësitë ndaj palëve të treta (MTPL).
  • Vendosjen e standardeve për të parandaluar falsifikimin e policave MTPL.
  • Analizën e informacioneve, duke përfshirë llogaritje statistikore për kostot mesatare të mbulimit të rrezikut, normat e vdekshmërisë, frekuencën e sëmundjeve, aksidentet dhe invaliditetin, si dhe të dhëna të tjera të lidhura me MTPL.

Këto të dhëna synojnë të përmirësojnë njohuritë mbi rreziqet dhe të lehtësojnë vlerësimin e tyre nga kompanitë e sigurimit, duke mos cenuar konkurrencën mes palëve.

Për të rritur transparencën dhe shkëmbimin e informacionit në kohë reale, shoqëritë e sigurimit nënshkruese të marrëveshjes janë dakorduar që çdo policë sigurimi të lëshuar të ketë elemente identifikuese qartë të shënuara, si logoja, numri serial, nënshkrimi i operatorit dhe kodi i AMF-së. Gjithashtu, arkëtimi në kohë reale i primit të sigurimit është një kusht i rëndësishëm.

Këto masa, nëse zbatohen siç duhet, do të parandalojnë falsifikimin e primeve të miratuara nga AMF, duke ruajtur kështu konkurrencën e lirë në treg. Klientëve do t’u jepet mundësia të zgjedhin lirisht shoqërinë e sigurimit që dëshirojnë, pa favorizuar askënd.

Autoriteti i Konkurrencës ka vlerësuar se marrëveshja synon shkëmbimin e informacionit vetëm për qëllime statistikore dhe historike mbi tregun MTPL, duke përfshirë analizën e riskut, llogaritjet e kostove mesatare, të dhënat mbi aksidentet, vdekshmërinë dhe invaliditetin, si dhe çdo informacion tjetër statistikore të ngjashëm. Autoriteti ka theksuar se marrëveshja nuk përmban dispozita që krijojnë detyrime ose koordinim në përcaktimin e çmimeve, kushteve të shitjes apo ndarjes së klientëve, si dhe ndalon shkëmbimin e të dhënave të ndjeshme konkurruese.

Si pasojë, Autoriteti i Konkurrencës ka konkluduar se marrëveshja nuk paraqet kufizim të konkurrencës. Shkëmbimi i informacionit në formën e përshkruar nuk mundëson koordinimin e sjelljes së palëve në treg ose unifikimin e primeve. Ai synon përmirësimin e njohurive dhe vlerësimin e riskut nga secila shoqëri sigurimi, pa krijuar koordinim sjelljeje dhe pa kufizuar konkurrencën.

Megjithatë, Autoriteti i Konkurrencës ka kërkuar shtimin e disa kushteve dhe detyrimeve në marrëveshje, duke përfshirë:

  • Të përcaktohet shprehimisht se marrëveshja nuk kufizon produktin MTPL apo shitjet, nuk ndan tregun apo klientët, dhe palët nuk duhet të dakordësohen për primet e shitjes për produktin MTPL.
  • Të shtohet dispozita se qëllimi i saj është rritja e efikasitetit në trajtimin e dëmeve dhe ulja e numrit të mjeteve të pasiguruara, si dhe që shkëmbimi i informacionit të kufizohet vetëm në të dhëna statistikore dhe të përmbledhura për të përmirësuar njohuritë mbi rreziqet dhe vlerësimin e riskut, pa penguar konkurrencën dhe vendimmarrjen e pavarur të palëve.
  • Palët kanë detyrimin të mos japin asnjë informacion mbi çmimet, primet, kostot, fitimet apo çdo element tjetër që mund të ndikojë në përcaktimin e çmimit fundor të policës MTPL.
  • Të raportojnë pranë Autoritetit të Konkurrencës për masat e marra për sigurimin e mosfalsifikimit të policave MTPL dhe të vendosin në dispozicion të Autoritetit informacionin e shkëmbyer sipas marrëveshjes sa herë që kërkohet.
Scroll to Top