Die. Dhj 16th, 2018

Konsolidohet biznesi, 928 ndërmarrje kanë punësuar më shumë se 27 mijë persona

TIRANË, 9 nëntor.- Ministri i Ekonomisë dhe Financave, Arben Ahmetaj, deklaroi sot se “konsolidohet biznesi shqiptar, rritet numri i ndërmarrjeve me mbi 4 punonjës, zgjerohen shitjet, investimet dhe punësimi”.

Duke iu referuar anketës paraprake të ndërmarrjeve të publikuar sot nga INSTAT, Ahmetaj tha se “ka disa lajme të mira për strukturën e sipërmarrjeve në vitin 2017, sigurisht vetëm për ata që dinë t’i lexojnë dhe kuptojnë shifrat”.

“Së pari, biznesi shqiptar po tregon shenja të rëndësishme të konsolidimit në strukturë, duke kaluar nga njësi të vogla ekonomike, në ndërmarrje me më shumë të punësuar. Gjatë vitit 2017, janë shtuar 928 ndërmarrje me 5 deri në mbi 50 punonjës, të cilat kanë shtuar më shumë se 27 mijë të punësuar”, nënvizoi Ahmetaj.

Së dyti, vijoi ai, punësimi në total është rritur me 4,9% krahasuar me një vit më parë.

“Rritja e punësimit përgjatë 5 viteve të fundit ka ardhur në rritje nga viti në vit, sikurse duket në grafik. Së treti, bizneset kanë zgjeruar aktivitetin e tyre në treg. Shitjet neto në total janë rritur 7,9% krahasuar me një vit më parë, ose rreth 148 miliardë lekë më shumë””, tha ministri Ahmetaj.

Së fundi, shtoi ai, rritja e aktivitetit ekonomik, është reflektuar drejtpërsëdrejti në rritjen e investimeve me 4,5% ose 10 miliardë lekë më shumë se një vit më parë, duke reflektuar rritjen e besimit të bizneseve në ekonomi.

Ahmetaj tha se “ekonomia shqiptare po i përgjigjet dita-ditës sfidës për konsolidim fiskal, konsolidim të strukturës së tregut, rritje të aktivitetit ekonomik, investimeve dhe punësimit. Raporti më i fundit i Komisionit Europian, që gjithashtu e rishikoi parashikimin për rritjen ekonomike të Shqipërisë nga 3,6% në 4,1% në vitin 2018, është një tjetër sinjal se jemi duke ecur përpara, në drejtimin e duhur”. /k.s//e.caushi/

Kategori