Kontrabandë malli dhe doganierë të arrestuar në Dibër

Policia e Dibrës ka goditur një rast të kontrabandës me mallra të ardhura nga Maqedonia e Veriut. Gjatë aksionit u arrestua në flagrancë një 42-vjeçar nga Maqellarë, i cili transportonte mallra të ndryshme të kontrabanduara, ndërsa në pranga përfundoi edhe një doganier i Degës Doganore Bllatë, i dyshuar për korrupsion dhe shpërdorim detyre. Një tjetër doganier u vu nën hetim në gjendje të lirë.

Operacioni, i quajtur ‘Skaneri’, çoi në arrestimin e shtetasit A. C., 42 vjeç, banues në Maqellarë, dhe A. L., 51 vjeç, doganier në Degën Doganore Bllatë. Në automjetin e ndaluar u gjetën kuti me detergjentë dhe materiale për paketim, për të cilat 42-vjeçari nuk kishte dokumente tatimore.

Dyshohet se mallrat janë futur kontrabandë përmes pikës kufitare Bllatë, me dijeninë dhe ndihmën e doganierëve të përfshirë. Mallrat, automjeti dhe një shumë parash u sekuestruan dhe materialet i referuan Prokurorisë së Dibrës.

Fenomeni i kalimit të kufirit për furnizim me karburant dhe produkte ushqimore është kthyer në praktikë të përditshme për banorët e bashkive Dibër dhe Bulqizë. Qytetarët i gjejnë më të leverdishme blerjet në Dibër të Maqedonisë së Veriut, ku çmimet janë dukshëm më të ulëta. Tregtarët maqedonas raportojnë se blerësit nga Shqipëria përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të klientëve, duke përmendur afërsinë me kufirin dhe çmimet më të ulëta si arsyet kryesore.

Produktet ushqimore dhe farmaceutike kushtojnë mesatarisht rreth 20% më pak në Maqedoninë e Veriut, ndërsa çmimi i naftës është deri në 70 lekë për litër më i ulët. Tregtarët shqiptarë përballen me këtë konkurrencë, duke theksuar se paguajnë taksa të larta dhe kanë vështirësi për të konkurruar.

Gjatë viteve 2023 dhe 2024, Gjykata e Dibrës ka trajtuar gjashtë çështje penale lidhur me kontrabandën dhe tregtimin e paligjshëm të mallrave.

Scroll to Top