Mallra kontrabandë në Kamëz, arrestohet i riu, në kërkim dy të tjerë
Një 26-vjeçar është arrestuar në flagrancë në afërsi të Kamzës, pasi u kap duke transportuar mallra të dyshuara të kontrabanduara. Dy bashkëpunëtorë të tij janë shpallur në kërkim.
Gjatë operacionit policor të koduar “Diversity”, specialistët e Seksionit për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Aseteve Kriminale, duke u bazuar edhe në informacione të siguruara në rrugë operative, kanë goditur një rast të kontrabandës së mallrave.
Shërbimet e Policisë kanë ndaluar një automjet në afërsi të Kamzës, që drejtohej nga shtetasi E. K. Gjatë kontrollit, në baterinë e automjetit iu gjetën të fshehura rreth 524 gramë flori.
Gjithashtu, në automjet u gjetën edhe:
- Veshje të ndryshme
- Paketa cigaresh
- Dy makina qepëse
- Sende dhe pajisje të tjera, të dyshuara si të kontrabanduara
Në vijim të veprimeve procedurale, shtetasi E. K., 26 vjeç, u arrestua në flagrancë, ndërsa shtetasit F. K. dhe M. G. u shpallën në kërkim.
Hetimet paraprake kanë zbuluar se shtetasi E. K., në bashkëpunim me F. K. dhe M. G., kanë futur ilegalisht në territorin e Republikës së Shqipërisë mallrat e lartpërmendura.
Materialet procedurale i janë kaluar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
