Die. Dhj 16th, 2018

Korçë, policia publikon masat për mbarëvajtjen e “Festës së Birrës”

Foto ilustruese nga edicionet e kaluara

Si çdo vit, edhe sivjet qyteti i Korçës do të pushtohet nga vizitorë vendas e të huaj për të shënuar “Festën e Birrës”, një organizim që fton të argëtohen jo vetëm korçarë, por edhe turistë të shumtë.

Në kuadër të kësaj feste, Policia e Korçës ka publikuar planin e masave për garantimin e rendit dhe sigurisë publike përgjatë periudhës nga 8 gushti deri më 12 gusht, teksa eventi do të mbahet përpara stadiumit “Skënderbeu” e deri te zona e njohur si “Pazari i Vjetër”.

Drejtoria Vendore e Policisë ka marrë masat për bllokimin e lëvizjes së automjeteve nga “Lëndina e Lotëve”, “Pallati i Sportit”, Qendra e Trajtimit të Studentëve, e deri tek “Unaza e Stadiumit”, sikurse edhe në rrugën “e dritave të verdha” (“Niko Kovaçi”) për të garantuar një manifestim sa më normal të saj.

Organizatorët, siç thekson policia, kanë marrë masa për lejimin e parkimit pranë kompleksit sportiv në afërsi të stadiumit, ndërsa hyrja në unazën lindore dhe veriore të tij do të lejohet vetëm për automjetet apo subjektet e veçanta që janë autorizuar prej tyre.

Shërbime të shtuara të punonjësve të policisë do të ketë edhe në sheshet dhe bulevardet kryesore, si “Republika” apo “Gjergj Kastrioti”, ku pritet një përqëndrim dhe qarkullim i madh mjetesh e individësh, për të mbikëqyrur ruajtjen e rendit apo parandalimin e situatave të ndryshme që mund të cënojnë sigurinë publike.

Policia kërkon nga drejtuesit e mjeteve që të shmangin lëvizjet e shtuara në qytet gjatë këtyre ditëve, të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, të kufizojnë përdorimin e pijeve alkoolike, të vendosin rripin e sigurimit dhe kaskat mbrojtëse, si dhe të mos përdorin celularin gjatë drejtimit të mjetit për të shmangur aksidente të mundshme rrugore.

InfoPasqyra/tch

Vendi – Top Channel

Kategori