Koreja e Jugut ka marrë masa të rrepta për shkak të provimeve hyrëse në universitet, duke pezulluar fluturimet në aeroportet e vendit.
Mbi gjysmë milioni kandidatë morën pjesë sot në provimet e vështira për pranimin në universitetet e Koresë së Jugut. Policia u mobilizua për të siguruar mbërritjen në kohë të tyre në qendrat e provimit, ndërsa autoritetet pezulluan për gjysmë ore të gjitha fluturimet.
Ky vit shënoi numrin më të lartë të kandidatëve në shtatë vitet e fundit. Shumica e tyre kanë lindur në vitin 2007, një vit i cili konsiderohej fatlum për lindjen e fëmijëve, duke sjellë një rritje të lindjeve.
Autoritetet ndaluan uljet dhe ngritjet e avionëve në të gjitha aeroportet, duke përfshirë aeroportin ndërkombëtar të Incheonit, nga ora 13:05 deri në 13:40 (me orën lokale). Ky veprim u mor për të shmangur çdo zhurmë gjatë pjesës së dëgjimit në gjuhën angleze të provimit.
Kjo masë preku 140 fluturime, nga të cilat 65 ishin ndërkombëtare. Faqet e monitorimit të fluturimeve treguan avionë që kryenin rrethe pranë aeroporteve në pritje të lejes për ulje.
