Korrupsioni në universitete: Studentët paguajnë për nota dhe përballen me materiale plagjiaturë
Perceptimi për korrupsionin dhe integritetin akademik në arsimin e lartë publik mbetet në nivele alarmante edhe për vitin 2025. Të dhënat e bëra publike të martën nga organizata “Qëndresa Qytetare”, gjatë prezantimit të raportit të monitorimit të bazuar në anketime me 750 studentë nga tetë universitetet kryesore publike në vend, tregojnë se shumica dërrmuese e studentëve hasin korrupsion.
Gjetjet tregojnë një krizë besimi, ku 9 në 10 studentë të anketuar pranojnë ekzistencën e korrupsionit në auditorë. Kolindo Vjerdha, drejtues i kërkimit shkencor pranë Qëndresës Qytetare, solli në vëmendje se të dhënat e anketës mbështeteshin edhe nga rezultatet e hetimeve nga prokuroritë në vend.
“Sipas prokurorive, gjatë viteve 2021-2025 janë akuzuar për korrupsion 50 pedagogë të universiteteve publike”, tha Vjerdha, duke nënvizuar se statistikat zyrtare shkojnë paralelisht me dëshmitë e studentëve.
Raporti detajon format më të përhapura të abuzimit në universitetet shtetërore. Sipas studentëve, format dominuese mbeten:
- Ryshfeti i drejtpërdrejtë, ose pagesa në këmbim të notës, e pohuar nga 46.6% e të anketuarve.
- Detyrimi për blerjen e librave të pedagogëve, i pohuar nga 22.6%.
- Skema të tjera përfitimi.
7 për qind e të anketuarve thanë se u ishin kërkuar favore seksuale në këmbim të notës. Studiuesit megjithatë vunë re se, pavarësisht përhapjes së gjerë të fenomenit, denoncimi mbetet i ulët.
Të dhënat tregojnë se 43.87% e studentëve deklarojnë se rastet e korrupsionit nuk raportohen, ndërsa 27.47% shprehin hapur frikë për t’i denoncuar këto raste, duke dëshmuar mungesën e mekanizmave efikasë të mbrojtjes së sinjalizuesve brenda universiteteve.
Përveç korrupsionit financiar, raporti ngre shqetësimin e thellë për integritetin akademik. Një shifër domethënëse prej 69.84% e studentëve të anketuar në Universitetin e Tiranës e perceptojnë plagjiaturën si një fenomen të përhapur gjerësisht te pedagogët e tyre.
Migen Qiraxhi, nga Qëndresa Qytetare, theksoi nevojën për një ndërhyrje rrënjësore. “Ne përballemi me një sistem enorm keqfunksionimi. Do të duhet kontrolli i titujve të pedagogëve dhe plagjiaturave, si dhe një presion konstruktiv e pozitiv mbi të gjithë sistemin”, u shpreh Qiraxhi.
Një gjetje tjetër shqetësuese e raportit lidhet me atë që ekspertët e quajnë “riciklim” të figurave të dëbuara nga sistemi i drejtësisë. Ekspertët ngritën dyshime mbi mënyrën se si ish-gjyqtarë dhe prokurorë, të shkarkuar nga procesi i Vetingut për probleme me pasurinë apo integritetin, janë integruar në jetën akademike.
“Ish-magjistratët që nuk e kanë kaluar Vetingun gjejnë hapësira për t’u rikthyer në pozita që ndikojnë drejtpërdrejt në formimin e brezave të rinj të juristëve”, tha Vjerdha, duke shtuar se kjo praktikë ngre pikëpyetje serioze mbi etikën dhe modelet që u transmetohen profesionistëve të ardhshëm të drejtësisë.