“`html
Akuzat për “spiune”: Kos do të japë shpjegime para deputetëve europianë më 20 prill
Komisionarja Evropiane për Zgjerim, Marta Kos, në fund të muajit prill do të përballet me pyetjet e deputetëve evropianë lidhur me pretendimet për bashkëpunimin e saj me strukturat e sigurisë të ish-Jugosllavisë.
Mbledhja e Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian (AFET), ku do të marrë pjesë komisionarja Kos, është caktuar për datën 20 prill. Partia Popullore Evropiane (EPP), si grupi më i madh politik në Parlamentin Evropian, kishte kërkuar mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme dëgjimore. Megjithatë, siç i është bërë me dije Radios Evropa e Lirë (REL), në vend të kësaj do të zhvillohet një mbledhje e rregullt e Komisionit për Punë të Jashtme, e cila zëvendëson takimin e planifikuar më parë për 16 mars.
Ky takim i fundit, edhe pse ishte planifikuar javë më parë, u anulua nga Kos me arsyetimin e një agjende të ngarkuar. Anulimi ndodhi menjëherë pasi dolën informacione të reja lidhur me biografinë e saj.
Komisionarja evropiane për Zgjerim, nga Sllovenia, është përballur me akuza se ka qenë bashkëpunëtore e policisë sekrete jugosllave, e njohur si UDB-a. Këto akuza u ngritën pasi më 10 mars, në ambientet e Parlamentit Evropian, u promovua libri me titull “Komisionarja”, i autorit slloven Igor Omerza. Ky libër paraqet dokumente për të cilat autori pretendon se dëshmojnë bashkëpunimin e Marta Kos me policinë sekrete jugosllave.
Komisioni Evropian mohon që Kos të ketë bashkëpunuar me strukturat e sigurisë të ish-Jugosllavisë. Zyrtarët e KE-së referohen një procesi të gjerë dhe të detajuar verifikimi gjatë nominimit të saj nga Sllovenia për postin e komisionares.
“Parlamenti Evropian miratoi emërimin e saj në të njëjtin proces si për të gjithë 27 komisionarët. Komisioni për Çështje Juridike i PE-së shqyrtoi deklaratën e saj të interesave dhe nuk konstatoi konflikt interesi. Komisioni Evropian nuk ka komente të mëtejshme”, deklaroi zëdhënësi i Komisionit Evropian, Guillaume Mercier, më 13 mars.
Drejtoria e Sigurimit të Shtetit (UDB) u formua në Jugosllavi menjëherë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, në vitin 1946, dhe u riemërtua në Shërbimin e Sigurimit të Shtetit në vitin 1966. UDB-a ishte e njohur për rolin e saj në përndjekjen e kundërshtarëve politikë në Jugosllavi pas Luftës së Dytë Botërore. Një pjesë e konsiderueshme e aktiviteteve të saj në dekadat e mëvonshme ishte e përqendruar në ndjekjen dhe veprimin kundër pjesëtarëve të diasporës që konsideroheshin kundërshtarë të interesave të Jugosllavisë.
Akuzat për bashkëpunimin e Kos me policinë sekrete jugosllave u shfaqën për herë të parë në vitin 2024, gjatë seancës dëgjimore për konfirmimin e emërimit të saj si kandidate e Sllovenisë për komisionare evropiane. Kos i mohon vazhdimisht këto akuza. Mbledhja e re e 20 prillit do të jetë mundësia e parë që ajo të shprehet pas publikimit të fakteve të reja në libër, të cilat kanë nxitur një valë të re akuzash.
“`
