Kos për Shqipërinë: Përparim i dukshëm, SPAK punë të shkëlqyer

Komisionerja Marta Kos: Po monitorojmë rastin e Ballukut

Në një intervistë për median Politico, komisionerja evropiane Marta Kos ka komentuar zhvillimet e fundit në Shqipëri, duke iu referuar çështjeve të lidhura me ish-ministren Belinda Balluku.

E pyetur rreth situatës aktuale, përfshirë hetimet e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dhe rastet që përfshijnë ish-zyrtarë të lartë, Kos u shpreh se Shqipëria ka shënuar përparim të dukshëm.

„Shqipëria ka bërë një punë të shkëlqyer dhe është në rrugën e duhur sa i përket reformës në drejtësi. SPAK po bën një punë shumë të mirë dhe është normale që të ketë raste të tilla në këtë fazë“, deklaroi ajo.

Kos theksoi se institucionet evropiane po monitorojnë nga afër zhvillimet, duke përfshirë edhe rastet konkrete që janë nën hetim. Ajo nënvizoi se më e rëndësishmja është mënyra se si autoritetet reagojnë ndaj tyre.

Ajo shtoi se sfida kryesore për vendet kandidate mbetet jo vetëm krijimi i një kuadri të fortë ligjor, por edhe ndryshimi i perceptimit shoqëror ndaj korrupsionit.

„Mund të keni legjislacionin më të mirë kundër korrupsionit, por nëse ai pranohet nga shoqëria, atëherë kemi një problem tjetër“, theksoi Kos.

Scroll to Top