Kosova arreston serb të dyshuar për krime lufte

Kosova arreston një serb të dyshuar për krime lufte

Autoritetet kosovare arrestuan të hënën një ish-pjesëtar të forcave serbe, për të cilin dyshohet se ishte përfshirë në kryerjen e krimeve të luftës kundër popullsisë civile në Kosovë gjatë luftës së viteve 1998-1999.

Prokuroria Speciale, duke bërë të ditura vetëm inicialet e të dyshuarit, Z.S., njoftoi se ai u kap nga hetuesit policorë të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Luftës.

“I pandehuri Z.S., si pjesëtar i një grupi paramilitar të forcave serbe, dyshohet se ka kryer krime lufte në fshatin Matiçan, Komuna e Prishtinës gjatë periudhës 1998-1999”, thuhet në njoftim.

Prokuroria tha se i ka kërkuar gjykatës vendosjen e të dyshuarit në paraburgim, por nuk dha më shumë hollësi, sipas raportimeve të REL.

Ky arrestim vjen pak ditë pasi një gjykatë në Prishtinë i dënoi me burgim dy ish-pjesëtarë të forcave policore dhe ushtarake të Serbisë për krime lufte në Kosovë gjatë luftës së viteve 1998-1999. Gjykata në Prishtinë i dënoi Zoran Kostiqin me 15 vjet burgim dhe Dragan Miloviqin me 7 vjet burgim gjatë një seance javën e kaluar.

Gjatë luftës në Kosovë janë vrarë më shumë se 13.000 civilë, shumica shqiptarë, ndërsa mijëra të tjerë janë zhdukur. Më shumë se 1.500 persona vazhdojnë të jenë ende të pagjetur, pjesa më e madhe e tyre shqiptarë.

Kohët e fundit, autoritetet kosovare kanë arrestuar të dyshuar të shumtë dhe kanë ngritur një sërë aktakuzash për krime lufte në Kosovë. Ndërkohë, që nga përfundimi i luftës, dhjetëra të dyshuar janë dënuar për këto krime para institucioneve vendore dhe ndërkombëtare.

Fillimisht pas luftës, përkatësisht nga viti 2000 deri në 2008, krimet e luftës në Kosovë u hetuan nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), ndërsa nga viti 2008, nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX). Në vitin 2018, EULEX-i ia dorëzoi lëndët organeve vendore të drejtësisë.

Scroll to Top