“`html
Kosova njohu kartat serbe të identitetit, reagoi Rama: Ballkani Perëndimor në BE nuk është bamirësi, por fitore strategjike
Publikuar më 14.03.2026
Një ditë para hyrjes në fuqi të Ligjit për të huajt dhe atij për automjetet, Kosova ka arritur një marrëveshje me Bashkimin Evropian për masa shtesë, veçanërisht lidhur me regjistrimin e banorëve serbë të Kosovës dhe personave me leje qëndrimi të përkohshme. Ky informacion u bë publik pas një takimi mes Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe Emisarit të BE-së për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sorensen.
Kryeministri Kurti theksoi se zbatimi i ligjit do të jetë në dobi të qytetarëve të prekur, si dhe do të eliminojë strukturat ilegale në vend. Ai sqaroi se ligji do të prekë edhe qytetarët që vijnë dhe qëndrojnë në Kosovë nga Presheva, Bujanovci, Medvegja dhe qytete të tjera të Serbisë, disa prej të cilëve janë të angazhuar në ofrimin e shërbimeve shëndetësore dhe arsimore në sistemin ilegal paralel të financuar nga Serbia.
“Nuk është në interes të Kosovës që zbatimi i ligjit për të huajt dhe automjetet të pengojë shërbimet bazike për qytetarët. Nuk mund të ketë mekanizma ilegalë të financuar nga një shtet që nuk e njeh Republikën e Kosovës. Ky legalizim do të përkthehet në zbatimin e plotë të ligjit në të gjithë Kosovën dhe do të sigurojë më shumë cilësi dhe siguri për qytetarët që konsumojnë të njëjtat shërbime”, tha Kurti.
Peter Sorensen, Emisari i BE-së për dialogun Kosovë–Serbi, mirëpriti dakordimin me qeverinë e Kosovës për disa lehtësime, sidomos për serbët dhe personat me qëndrim të përkohshëm në Kosovë. Ai theksoi se prioriteti kryesor i Qeverisë së Kosovës duhet të jetë sigurimi i lejeve të punës dhe studimit për një periudhë fillestare prej 12 muajsh, për të mos penguar ofrimin e shërbimeve shëndetësore dhe arsimore. Sorensen shtoi se duhet të sigurohet vazhdimësia e shërbimeve dhe për këtë duhet të lejohet njohja e letërnjoftimeve deri në vitin 2026. Në të njëjtën kohë, qeveria duhet t’i regjistrojë individët në përputhje me ligjin e Kosovës dhe me statusin e tyre civil.
Kryeministri Kurti sqaroi gjithashtu se zbatimi i këtyre ligjeve nuk paraqet rrezik për qytetarët e Kosovës, por përfitime konkrete. Ai shtoi se qeveria do të pajiset nga krerët lokalë me listën e stafit akademik dhe shëndetësor të angazhuar në ofrimin e këtyre shërbimeve, të cilat do të shërbejnë si bazë për dhënien e lejeve të përkohshme të qëndrimit për qytetarët e huaj që aplikojnë në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Mospërputhjet eventuale do të verifikohen nga autoritetet përkatëse. E njëjta gjë vlen edhe për studentët e huaj, të cilëve pas aplikimit do t’u lëshohet leje qëndrimi për 12 muaj, me mundësi vazhdimi në rast të vazhdimit të studimeve. Ministritë e Shëndetësisë dhe Arsimit, në koordinim të përhershëm me përfaqësuesin e BE-së dhe ofruesit e shërbimeve, do të përcaktojnë afatet optimale për inkorporimin dhe licencimin e institucioneve dhe stafit.
“Kosova do të hapë një dritare tre-mujore për qytetarët serbë që të regjistrojnë faktet civile, të regjistruara nga strukturat ilegale deri më 15 mars 2026, duke lejuar përdorimin e ID-ve të lëshuara nga këto struktura si mjet identifikimi”, tha Albin Kurti, Kryeministër i Kosovës.
Zbatimi i ligjeve nis më 15 mars dhe është në përputhje me direktivat e Bashkimit Evropian.
Reagon Rama
Kryeministri Edi Rama ka reaguar pasi Kosova njohu kartat serbe të identitetit. Rama është shprehur se Ballkani Perëndimor brenda BE-së nuk është bamirësi, por fitore strategjike.
“Mirëpresim koordinimin Kosovë – BE për Ligjin për të Huajt. Shpërbërja e strukturave paralele është një punë e vështirë. BE-ja duhet t’i përgjigjet këtij guximi duke hequr masat ndëshkuese dhe duke e çuar përpara aplikimin e Kosovës për anëtarësim. Një Ballkan Perëndimor plotësisht brenda BE-së nuk është bamirësi. Është fitorja strategjike e vetë Evropës”, shkruan Rama në X.
Qeveria e Kosovës ka pranuar të lëshojë leje të përkohshme qëndrimi për 12 muaj për pjesëtarët e komunitetit serb, që nuk kanë dokumente të Kosovës, dhe t’i njohë kartat e identitetit të lëshuara nga autoritetet serbe. Këto janë hapa që zbusin pasojat e zbatimit të plotë të Ligjit për të huajt dhe për automjetet, që hyn në fuqi më 15 mars. Sipas legjislacionit në fjalë, personat që nuk janë të pajisur me dokumente të Kosovës do të duhet të marrin leje qëndrimi, ndërsa automjetet me targa të huaja nuk do të mund të qarkullojnë në rrugët e vendit për më shumë se tre muaj, ose në bazë të autorizimit.
“`
