Kosova: Diskutime serioze për zgjedhjen e Presidentit të ri

Kryeparlamentarja e Kosovës: Nevojiten diskutime serioze për çështjen e Presidentit

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka theksuar nevojën për diskutime serioze mes partive politike nëse duan që të zgjedhin realisht presidentin e ri të shtetit. Haxhiu, e cila vjen nga radhët e partisë në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), ka nënvizuar se Kosova nuk ka nevojë të shkojë në zgjedhje të parakohshme, pasi qytetarët kanë dhënë votën e tyre në zgjedhjet e dhjetorit.

“Nevojiten diskutime serioze nëse duam apo nuk duam përnjëmend ta zgjedhim presidentin. Është e rëndësishme që ajo që thuhet në takime të mbyllura të jetë qëndrim real dhe jo vetëm diskutim për hir të diskutimit”, deklaroi Haxhiu për mediat më 27 mars.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese, i publikuar më 25 mars, u ka dhënë deputetëve një afat prej 34 ditësh për të zgjedhur presidentin e ri, pra deri më 28 prill. Në të kundërt, vendi do të shkojë automatikisht në zgjedhje. Çështja ishte dërguar në Gjykatën Kushtetuese nga Qeveria e Kosovës, e drejtuar nga Albin Kurti, pasi më 6 mars, presidentja Vjosa Osmani kishte nxjerrë një dekret për shpërndarjen e Kuvendit, një ditë pasi deputetët nuk arritën të zgjidhnin paraardhësin e Osmanit. Gjykata Kushtetuese vlerësoi se dekreti i Osmanit nuk kishte prodhuar asnjë efekt juridik.

Kryeparlamentarja Haxhiu ka sqaruar se seanca e 5 marsit nuk është mbyllur dhe ajo do të vazhdojë “sapo të krijohen kushtet”. Ajo ka shtuar se kryeministri Kurti, i cili është edhe kreu i LVV-së, tashmë ka kërkuar takime me subjektet opozitare. Kurti u kishte dërguar ftesa drejtuesve të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) edhe para publikimit të aktgjykimit. Të dy partitë kishin shprehur gatishmërinë për takim pas publikimit të vendimit, por deri më tani nuk është paralajmëruar ndonjë datë konkrete.

“Natyrshëm që kërkesat për takime do të vazhdojnë, por në anën tjetër nevojitet edhe vullneti i palës tjetër. Grupi parlamentar i Vetëvendosjes ka maksimum 66 vota, por kjo është e pamjaftueshme për të zgjedhur presidentin, pasi nevojiten të paktën 80 vota në dy rundet e para. Në këtë pikë, mendoj që është shumë i rëndësishëm kontributi i të gjitha palëve, por kontributi të jetë serioz, sepse pajtohemi që vendi nuk ka nevojë për zgjedhje të reja. Qytetarët kanë folur, kanë dhënë mesazhin e tyre, prandaj kemi shumë punë për të bërë”, theksoi Haxhiu.

Më 5 mars, LVV-ja kishte propozuar dy kandidatë për president: zëvendëskryeministrin dhe kryediplomatin e Kosovës, Glauk Konjufcën, dhe deputeten Fatmire Kollçaku. Megjithatë, emrat e tyre nuk u morën në votim për shkak të mungesës së kuorumit.

Çfarë tha Gjykata Kushtetuese?

Në aktgjykimin e saj, Gjykata Kushtetuese ka sqaruar se Kuvendi i Kosovës shpërndahet në tri raste kryesore: nëse brenda 60 ditësh nga data e caktimit të mandatarit nga presidenti nuk formohet Qeveria; nëse për shpërndarjen e Kuvendit votojnë 2/3 e të gjithë deputetëve; dhe nëse brenda 60 ditësh nga fillimi i procedurës së zgjedhjes, nuk zgjidhet presidenti i Kosovës.

“Gjykata mori për bazë kontekstin specifik të rrethanave të konstituimit të Kuvendit më 11 shkurt 2026, duke vlerësuar se Kuvendi nuk ka pasur gjashtëdhjetë 60 ditë në dispozicion, brenda të cilës periudhë duhet të përfundohej procedura për zgjedhjen e presidentit”, thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Sipas Gjykatës Kushtetuese, procedura për zgjedhjen e presidentit, “që nuk mund të zgjasë më shumë se 60 ditë”, duhet të përfundojë “jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual”.

“Këto dy afate janë të ndërlidhura, në atë mënyrë që procedura duhet të zhvillohet brenda kufirit prej 60 ditësh dhe të përfundojë me zgjedhjen e presidentit jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual”, sqarohet në vendim.

Pas aktgjykimit, LVV-ja ka deklaruar se ky moment duhet të shfrytëzohet “për reflektim dhe për angazhim të të zgjedhurve të popullit, në mënyrë që vendi të mos futet në një krizë të re dhe në një cikël të përsëritur zgjedhjesh”. Nga PDK-ja kanë thënë se e respektojnë vendimin dhe do të bëjnë publikë vendimet politike që do të marrin ditët në vijim. Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka theksuar se përgjegjësia kryesore për zgjedhjen e presidentit bie mbi LVV-në dhe se për këtë çështje nevojitet marrëveshje politike mes partive.

Presidenti i Kosovës zgjidhet me dy të tretat e votave në dy rundet e para ose me 61 vota në rundin e tretë. Megjithatë, për mbajtjen e seancës nevojiten 80 deputetë në sallë. Presidentja aktuale, Vjosa Osmani, përfundon mandatin e saj pesëvjeçar më 5 prill. Ajo synonte edhe një mandat të dytë, por nuk arriti të sigurojë mbështetjen e partive, pasi për partinë në pushtet nuk kishte votat e nevojshme, ndërsa për partitë e tjera ajo nuk përfaqësonte unitetin e nevojshëm për figurën presidenciale.

Scroll to Top