Kosova humbet kapitenin për fazën “play-off”; i preferuari i Kontes dëmtohet rëndë në Itali
Amir Rrahmani nuk do të jetë në dispozicion të Kombëtares së Kosovës për fazën “play-off” të Kupës së Botës 2026. Mbrojtësi ka pësuar një dëmtim te skuadra e Napolit dhe pritet të qëndrojë jashtë fushave të blerta për të paktën dy muaj, duke rrezikuar të jetë i gatshëm vetëm në fund të sezonit.
Rrahmani u dëmtua të dielën në ndeshjen kundër Romës, duke u detyruar të largohet nga loja në minutën e 70-të. Ai konsiderohet gjithashtu si një nga lojtarët më të pëlqyer nga trajneri i Napolit, Antonio Conte, ndaj dhe pozita e tij si titullar te kampionët nuk vihej në diskutim.
Kapiteni do t’i mungojë “dardanëve”, të cilët do të përballen me Sllovakinë në transfertë më 26 mars. Për Rrahmanin, ky sezon është shoqëruar jo pak herë nga dëmtimet.
PANORAMASPORT.AL
