Kosova në Bordin e Paqes: Synim për kontribut global

Kurti për Bordin e Paqes: Kosova dëshiron të kontribuojë për paqe

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi të premten para mediave se Kosova synon të kontribuojë për paqe në botë kudo ku ka nevojë. Këto komente ai i bëri në lidhje me pjesëmarrjen e Kosovës në Bordin e Paqes, një nismë e presidentit amerikan Donald Trump, pjesë e një plani për rindërtimin e Gazës, e cila është shkatërruar nga lufta. Përmes këtij bordi, Shtetet e Bashkuara synojnë zgjidhjen e konflikteve globale.

Duke folur për herë të parë për Bordin e Paqes, Kurti theksoi se pjesëmarrja e Kosovës në këtë iniciativë është vazhdimësi e kontributit të saj për Gazën, duke filluar me angazhimin në Forcën Ndërkombëtare Stabilizuese përmes Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK). Ai iu referua pjesëmarrjes së FSK-së në një konferencë të organizuar në dhjetor të vitit 2025 në Doha, Katar, nga Komanda Qendrore e Shteteve të Bashkuara, e cila trajtoi Forcën Ndërkombëtare Stabilizuese.

“Prandaj kemi qenë të interesuar të marrim pjesë edhe në organet vendimmarrëse politike”, theksoi Kurti.

Çfarë është Forca Ndërkombëtare Stabilizuese?

Forca Ndërkombëtare Stabilizuese është një forcë paqeruajtëse shumëkombëshe me mandat të Kombeve të Bashkuara, e cila parashikohet të formohet sipas planit 20-pikësh të Trumpit për paqe në Gazë. Ky plan u pranua nga Izraeli dhe Hamasi – organizatë e shpallur terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera – në tetor të vitit 2025. Edhe pse nuk janë bërë publike shumë detaje rreth saj, besohet se Forca Stabilizuese Ndërkombëtare do të ketë mandatin për të ofruar siguri dhe për të mbikëqyrur marrëveshjen e armëpushimit në Gazë. Shtëpia e Bardhë ka njoftuar se komandanti i kësaj force është emëruar gjeneralmajori Jasper Jeffers, komandant amerikan i operacioneve speciale.

Kurti shtoi se një nga arsyet kryesore të pjesëmarrjes së Kosovës në iniciativa të tilla është për shkak se edhe ajo vetë ka qenë përfituese e paqes, falë ndërhyrjes së forcave ndërkombëtare. “Sa i përket Gazës, ju e dini që ne i kemi ndarë gjysmë milioni euro si Qeveri dhe ky është proces i cili do të vazhdojë edhe në vijim”.

Çfarë është Bordi i Paqes?

Bordi i Paqes u themelua më 22 janar në Davos, Zvicër, në prani të presidentit Trump. Kosova u përfaqësua në këtë ngjarje nga presidentja Vjosa Osmani. Ky mekanizëm do të mbikëqyrë udhëheqjen e Rripit të Gazës.

Profesori i studimeve për paqe dhe konflikt në Universitetin e Dublinit, Gëzim Visoka, deklaroi për Radios Evropa e Lirë se pjesëmarrja e Kosovës në këtë bord mund t’i sjellë vendit përfitime të rëndësishme në politikën e jashtme, pavarësisht kostove të mundshme. Sipas tij, për sa kohë Kosova mbetet jashtë organizatave të mëdha ndërkombëtare si NATO, Bashkimi Evropian dhe Organizata e Kombeve të Bashkuara, nisma të tilla mund t’i shërbejnë forcimit të pozicionit të saj diplomatik.

“Kjo platformë mund t’i ofrojë Kosovës një hapësirë për lobim dhe për të kërkuar njohje të reja nga shtete si Maroku apo vende të tjera që ende nuk e kanë njohur Kosovën… Deri më tani, sistemi i OKB-së nuk i ka ofruar Kosovës barazi, qasje të duhur, nuk ka qenë në shërbim të së drejtës së Kosovës për vetëvendosje, për anëtarësim në sistemin ndërkombëtar dhe për njohje ndërkombëtare. Në njëfarë mënyre, kjo është edhe një protestë ndaj rendit të OKB-së, i cili ka përfunduar duke u bërë vegël e fuqive të mëdha”, përfundoi ai.

Lufta mes Izraelit dhe Hamasit nisi në tetor të vitit 2023, pas sulmit të Hamasit në Izrael, ku u vranë mbi 1.200 njerëz dhe u morën qindra pengje. Sulmet hakmarrëse izraelite në Gazë shkaktuan mijëra viktima, një krizë urie dhe dëme të mëdha infrastrukturore./REL

Scroll to Top