Gazeta gjermane: Dështimi i Kurtit për formimin e qeverisë zhyt Kosovën në krizë
Një gazetë gjermane ka publikuar një analizë mbi dështimin e formimit të qeverisë së re në Kosovë, duke theksuar se tensioni ishte i ndjeshëm gjatë seancës parlamentare që nisi me vonesë. Artikulli thekson se ishte hera e tretë që Albin Kurti, kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, kërkonte të bëhej kryeministër i vendit ballkanik, por përfundoi me një dështim të pritshëm.
Rezultatet e votimit treguan se vetëm 56 deputetë votuan për formimin e kabinetit të tij, ndërsa 52 ishin kundër dhe 4 abstenuan. Kjo bëri që Kurti të mos arrinte shumicën e nevojshme prej 61 votash në një parlament me 120 vende.
Sipas gazetës, ky votim mund të shihet si “një simptomë e një krize politike më të thellë në Kosovë”. Artikulli vijon duke theksuar se prej më shumë se 9 muajsh, bllokadat institucionale dhe përplasjet partiake e kanë paralizuar vendin. Albin Kurti, i cili që nga viti 2020 drejton shtetin e ri ballkanik si Kryeministër, konsiderohet nga shumë analistë si shkaku kryesor i kësaj ngecjeje.
“Qasja e tij shpesh e ashpër dhe konfrontuese ndaj kundërshtarëve politikë e ka mbajtur Vetëvendosjen, pavarësisht humbjeve, si forcën më të madhe politike në vend, por njëkohësisht e ka bërë pothuajse të pamundur krijimin e koalicioneve,” shkruan gazeta. Politikanë të rëndësishëm të opozitës nga partitë kryesore parlamentare “e kanë përjashtuar bashkëpunimin me Albin Kurtin prej vitesh”.
Tani, zgjidhja e krizës i takon presidentes Vjosa Osmani, e cila ka detyrimin që brenda dhjetë ditësh të emërojë një kandidat të ri për formimin e qeverisë. “Nëse dështon edhe kjo përpjekje, Kushtetuta parashikon mbajtjen e zgjedhjeve të reja brenda 40 ditësh,” thekson gazeta, duke shtuar se tashmë “po shtohen zërat që e shohin këtë si të vetmen mundësi të besueshme për ta nxjerrë vendin nga bllokimi politik.”
Besimi i brishtë i aleatëve
Sipas artikullit, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, u përpoq të zbusë dëmin politik që mund të shkaktojë kjo situatë. Ajo reagoi me “keqardhje të thellë” ndaj vendimit të SHBA-së dhe theksoi se marrëdhëniet me Uashingtonin janë “pjesë thelbësore e shtetësisë dhe identitetit kombëtar të Kosovës.”
“Por domethënia simbolike e këtij zhvillimi është e madhe,” thekson gazeta. “Që prej ndërhyrjes së NATO-s në vitin 1999, mbështetja e Shteteve të Bashkuara është konsideruar themel i sovranitetit të Kosovës. Fakti që Washingtoni po shpreh publikisht dyshime mbi besueshmërinë politike të qeverisë në Prishtinë, shënon një pikë kthese të rëndësishme.”
Media gjermane shton se edhe Bashkimi Evropian ka treguar pak durim kohët e fundit, gjë që reflektohet në bllokimin e fondeve të ndihmës për Kosovën. “Për ekonominë e brishtë të vendit, kjo është një zhvillim i rrezikshëm. Me rreth 1.7 milionë banorë, Kosova është një nga vendet më të varfra të Evropës, me papunësi të lartë dhe emigrim të madh të të rinjve. Edhe pse situata ekonomike është përmirësuar disi vitet e fundit, mungesa e mbështetjes së jashtme mund të sjellë rënie të ndjeshme të investimeve dhe humbje të besimit të investitorëve ndërkombëtarë – një besim që edhe ashtu ka qenë i brishtë,” përfundon artikulli.
