Kosova pa Qeveri të Re: Sfida dhe Parashikime

Analiza e REL/ Diskutimet për Qeverinë, çfarë e pret Kosovën ditët në vijim?

Kosova i mbajti zgjedhjet parlamentare në shkurt 2025, por viti mund të përfundojë pa një Qeveri të re. Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Glauk Konjufca, ka afat deri më 19 nëntor për t’i propozuar Kuvendit përbërjen e re qeveritare dhe për të parë nëse ka votat e nevojshme për formimin e ekzekutivit të ri.

Në ditën kur u caktua mandatar, Konjufca u bëri thirrje partive të tjera politike që t’i linin anash inatet dhe të votonin për një Qeveri të përkohshme deri në prillin e vitit të ardhshëm, kur i skadon mandati presidentes aktuale, Vjosa Osmani. Megjithatë, partitë e mëdha shqiptare kanë bërë të qartë se nuk kanë votë për një qeveri të tillë.

Konjufca është mandatari i dytë i LVV-së, pas kreut të partisë, Albin Kurti, që do të përpiqet të formojë Qeverinë e re. Edhe pse kjo parti ka fituar më shumë vota në zgjedhjet e fillimvitit, ajo nuk ka siguruar mjaftueshëm vende në Kuvend për ta zgjedhur vetë Qeverinë.

### “Kurti 2.5”, “Konjufca 1” apo diçka tjetër?

Naim Jakaj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), thotë për Radion Evropa e Lirë se beson që kabineti që do ta paraqesë Konjufca do të jetë i ngjashëm me kabinetin e propozuar nga Kurti. Nëse përbërja dhe përkrahja politike nuk kanë ndryshuar, nuk pritet një rezultat i ri në votim.

“Në këto rrethana, konsiderojmë që e vetmja mundësi reale për një qeveri të re do të ishte një marrëveshje politike për të prodhuar një qeveri teknike, me mandat të kufizuar dhe me disa objektiva të qarta, të cilat tashmë janë problematike,” shprehet Jakaj, duke përmendur si më kritike:

* Miratimin e buxhetit të shtetit dhe të disa komunave për vitin e ardhshëm.
* Ratifikimin e marrëveshjes ndërkombëtare që lidhet me Planin e Rritjes së Bashkimit Evropian.
* Miratimin e buxhetit për Radiotelevizionin e Kosovës (RTK).

Për dallim nga Konjufca, i cili nuk është deklaruar publikisht rreth formimit të Qeverisë, Kurti tha ditë më parë se këtë javë mund të ketë më shumë hollësi rreth procesit. Ai përsëriti qëndrimin e tij se nuk është mirë për Kosovën të ketë zgjedhje edhe në dhjetor, edhe në prill. “Deputetët e Republikës janë para përzgjedhjes: ose ‘Kurti 2.5’ deri në dhjetor, ose ‘Konjufca 1’ deri në prill. Por, pa asnjërën prej tyre nuk është e mundur.”

### Pse nuk po thirret seanca?

Zakonisht në Kosovë, seancat për formim të Qeverisë janë mbajtur shpejt pasi është mandatuar një figurë për kryeministër. Për Jakajn, situata e tanishme është e pazakontë dhe ai është i befasuar me Konjufcën. “Kam pasur pritje të tjera nga zoti Konjufca, që ai të jetë më i shpejtë dhe më dialogues me partitë tjera, në mënyrë që të gjejë një zgjidhje.”

Përveç mungesës së votave, në Kosovë flitet gjerësisht se një tjetër arsye për zvarritjen e procesit është përshtatja e kohës së zgjedhjeve eventuale me pushimet e diasporës në Kosovë, rreth 28 dhjetorit. Jakaj shpreson që presidentja do ta evitojë këtë datë, pasi është periudhë feste në pjesën më të madhe të botës. “Nëse zgjedhjet do të mbaheshin pas datës 24 dhjetor, do të përbënin problem, në kuptimin që të mos ketë prani ndërkombëtare për t’i monitoruar zgjedhjet e jashtëzakonshme.”

Sipas Kushtetutës së Kosovës, nëse Qeverinë nuk arrin ta formojë as mandatari i dytë, atëherë presidentja Osmani duhet t’i shpallë zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se 40 ditë nga dita e shpalljes së tyre.

Vetë Osmani tha ditë më parë se u ka treguar krerëve të partive ish-opozitare që nëse nuk dëshirojnë ta pranojnë një nismë legjislative të nisur nga Qeveria në detyrë për miratimin e ligjeve – siç është ai për buxhetin ose Plani i Rritjes së BE-së – atëherë ajo mund të bëjë një kërkesë formale në emrin e tyre. Megjithatë, fillimisht partitë duhet të kenë gatishmëri që ato ligje t’i votojnë në Kuvend. “Ka mundësi të zgjidhet kjo çështje, mirëpo deri më tani nuk kam përgjigje,” u shpreh ajo. Sipas presidentes, marrëveshjet ndërkombëtare në vlerë gati 1 miliard euro, buxheti i shtetit dhe çështje tjera do të duhej të votoheshin “nga përfaqësuesit e këtij Kuvendi, të cilët janë zgjedhur më 9 shkurt të këtij viti, por akoma s’kanë vendosur asgjë.”

### Çfarë nëse vendi shkon në zgjedhje?

Ekspertët parashikojnë që do të gjendet një mënyrë që Kosova të ketë buxhet deri në fund të muajit mars të vitit të ardhshëm, ndërsa fondet e huaja rrezikojnë të humbin. Nëse pas 31 marsit nuk ka institucione funksionale, atëherë vendi do të përballet me një situatë të paparashikueshme, pasi nuk do të ketë paga për punëtorët e sektorit publik dhe as operatorët e sektorit privat nuk do të mund t’i kryejnë punët e tyre, në mungesë të përmbushjes së obligimeve nga ana e shtetit.

Megjithatë, partitë vazhdojnë të mos gjejnë kompromis dhe besojnë se zgjedhjet e parakohshme janë opsioni i vetëm real. Njohësit e çështjeve politike, nga ana tjetër, nuk presin ndryshime të mëdha në rezultate dhe përsërisin se vetëm kompromisi e nxjerr vendin nga kriza.

Mbetet të shihet kush do ta bëjë kthesën e madhe…/rel

Scroll to Top