Kosova-Serbi marrëveshje për personat e zhdukur

Kosova dhe Serbia arrijnë marrëveshjen për Komisionin e Personave të Zhdukur

Kosova dhe Serbia kanë arritur një marrëveshje për funksionalizimin e komisionit të përbashkët për personat e zhdukur gjatë luftës në Kosovë. Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, pas një raundi dialogu me Serbinë në Bruksel, deklaroi se në javët e ardhshme do të takohen “zëvendësit tanë për të përcaktuar prioritetet e para për punën e komisionit të përbashkët”.

“Qëllimi ishte që të arrijmë dakordimin për të funksionalizuar sot komisionin e përbashkët për zbatimin e Marrëveshjes për Personat e Pagjetur mes kryeministrit [të Kosovës, Albin] Kurti dhe presidentit [të Serbisë, Aleksandar] Vuçiq. Takimet ishin të suksesshme dhe në fund arritëm ta jetësojmë përfundimisht këtë objektiv”, tha Bislimi.

Nga ana tjetër, kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviç, e cilësoi raundin e dialogut të 22 janarit si “takimin e parë të komisionit të përbashkët për zbatimin e Deklaratës për Personat e Zhdukur”. “Kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme dhe domethënëse, dhe shpresoj që pas këtij takimi të parë të përshpejtohen të gjitha proceset drejt gjetjes së të gjithë personave të zhdukur”, tha Petkoviç.

Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë janë gjithashtu bashkëkryesues të këtij komisioni. Ndërkohë, kryetari i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti, i cili ishte i pranishëm në Bruksel, theksoi se Serbia kishte refuzuar themelimin e këtij komisioni për tre vjet.

“Ne mirëpresim takimin e radhës, me pritjen e qartë që pala serbe të vijë me hapa konkretë dhe të matshëm, në përputhje me obligimet e marra në Deklaratën për Personat e Zhdukur”, shkroi Hoti në Facebook.

Marrëveshja u arrit pas disa orësh bisedimesh që ndërmjetësi evropian në dialog, Peter Sorensen, zhvilloi veç e veç me Bislimin dhe Petkoviçin. Në përfundim të këtyre takimeve, gjatë orëve të mbrëmjes u mbajt një takim i përbashkët, ku edhe u formalizua marrëveshja.

Scroll to Top