Hën. Tet 15th, 2018

Kosovë- Fillon faza e katërt e dezinsektimit në Prishtinë

PRISHTINË, 4 gusht/ATSH/- Në Prishtinë ka nisur sot faza e katërt e dezinsektimit të ajrit.

Kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti beri të ditur sot se “është zgjedhur dita e sotme, pasi parashikimet klimatike sigurojnë në javë me mot të qëndrueshëm dhe pa reshje, ku edhe efekti i dezinsektimit është më i madh”.

“Edhe këtë herë do të dezinsektohet sipërfaqja prej 6200 hektarë , duke përfshirë edhe zonat rurale ku ka potencial të lartë të zhvillimit të këtyre insekteve. Do të përdoren preparatet e sigurta të regjistruara për përdorim në vendet e Bashkimit Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha Ahmeti.

Dezinsektimi do të bëhet çdo ditë duke filluar nga ora 19:30 deri në orën 23:30, sipas datave të përcaktuara në lagjet e kryeqytetit si; parku i qytetit, Aktash, qyteza Pajton, qendra e qytetit, lagjia e Muhaxherëve, Dardania, zona industriale, Bregu i Diellit, etj.

Kryetari Ahmeti u shpreh se “bashkëpunimi i qytetarëve në këtë proces është i një rëndësie të veçantë për suksesin e këtij procesi”.

Ai i bëri apel qytetarëve për bashkëpunim në mënyrë që ky aktivitet të jetë sa më i suksesshëm.

“Gjithashtu apelohet te shoqatat e bletarëve, për kujdes të shtuar gjatë kësaj periudhe. Monitorimi i këtij aktiviteti nga ana e komunës së Prishtinës do të jetë i vazhdueshëm dhe në bashkëpunim me qytetarët do të japim maksimumin për një dezinsektim sa më efektiv”, tha Ahmeti./k.s//e.caushi/

Kategori