Lajmeneutrale

KPA konfirmon gjyqtaren Blerina Muço në detyrë

Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA) ka shpallur të hënën, më 13 tetor, vendimin për rikthimin në detyrë të gjyqtares së Tiranës, Blerina Muço. Ajo ishte shkarkuar më parë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) për probleme të lidhura me pasurinë dhe vlerësimin tërësor.

Subjekti paraqiti ankim në Kolegj. Pas shqyrtimit, u vendos vijimi i gjykimit publik për të sqaruar situatën faktike lidhur me pagimin e detyrimeve tatimore për të ardhurat e bashkëshortit nga një marrëveshje bashkëpunimi me një shoqëri konsulencë ligjore.

Gjyqtarja Muço parashtroi se bashkëshorti nuk kishte qenë në dijeni të moshlyerjes së detyrimeve tatimore nga shoqëria. Sipas saj, marrëveshja parashikonte që detyrimet tatimore të shlyheshin nga punëdhënësi, duke e vendosur bashkëshortin në kushtet e besimit të plotë. Ajo theksoi se dokumentacioni provoi përfitimin në kohë të shumës prej 73 mijë euro, gjë që përputhej me deklarimet e viteve të kaluara.

Kolegji konstatoi se të ardhurat e bashkëshortit ishin deklaruar rregullisht dhe përputheshin me periudhën e deklaruar nga shoqëria. Gjithashtu, u evidentua marrëveshja e bashkëpunimit ku përcaktohej shlyerja e detyrimeve tatimore nga ana e shoqërisë. Verifikimi bankar tregoi se shoqëria kishte kredituar 73 mijë euro gjatë viteve 2005-2010. Një vendim gjyqësor i vitit 2024, i cili ka hyrë në fuqi po atë vit, njohu detyrimin e shoqërisë për pagesën e këtyre detyrimeve.

Trupi gjykues i Kolegjit çmoi se subjekti provoi bindshëm krijimin e këtyre të ardhurave, si me dokumente ashtu edhe me deklarime në kohë reale. KPA argumentoi se, përderisa të ardhurat janë deklaruar rregullisht, vijnë nga burim i ligjshëm dhe detyrimi tatimor ishte i shoqërisë, ato duhet të përfshihen në të ardhurat e ligjshme. Si rrjedhojë, u konkludua se gjyqtarja Muço nuk gjendet në kushtet e deklarimit të pasaktë.

Pamundësia financiare e mbetur në shumën 954 mijë lekë, e shpërndarë në disa vite, u çmua nga Kolegji si e pamjaftueshme për të sjellë penalizim për subjektin, bazuar në parimet e objektivitetit dhe proporcionalitetit.

Gjithashtu, Kolegji vlerësoi të pamjaftueshme për të cënuar besueshmërinë e gjyqtares Muço edhe gjetjet në kriterin profesional lidhur me tejkalimin e afateve në gjykime dhe konfliktin e interesit. Përsa i përket mosrespektimit të praktikës unifikuese të Gjykatës së Lartë, Kolegji vërejti se qëndron vetëm një rast, por që nuk mund të sjellë penalizim.

Në lidhje me çështjet që kishin të bënin me shoqërinë ku bashkëshorti kishte lidhur marrëveshjen, u konstatua se ato ishin trajtuar nga subjekti disa vite pasi kishte përfunduar bashkëpunimi.

Në përfundim, Kolegji çmon se konkluzionet e KPK për pasurinë, profesionalizmin dhe vlerësimin tërësor nuk janë bazuar në akte dhe ligj. Për rrjedhojë, u vendos ndryshimi i vendimit të KPK dhe konfirmimi në detyrë i gjyqtares Blerina Muço.

Lini një Përgjigje