KPA lë në fuqi shkarkimin e gjyqtarit Vladimir Skënderi

KPA lë në fuqi shkarkimin e gjyqtarit Vladimir Skënderi

Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA) ka vendosur të hënën, më 17 nëntor, të lërë në fuqi shkarkimin nga detyra të gjyqtarit të Durrësit, Vladimir Skënderi. Ky vendim u mor unanimisht nga trupi gjykues i KPA-së, i kryesuar nga Ina Rama, me relator Sokol Çomon dhe anëtare Albana Shtylla, Mimoza Tasi e Natasha Mulaj. Vendimi erdhi pas shqyrtimit në dhomë këshillimi të ankimit të Skënderit kundër vendimmarrjes së Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK).

Vendimi i KPA-së është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm. Më 30 tetor 2023, KPK kishte vendosur shkarkimin nga detyra të gjyqtarit Vladimir Skënderi, duke arritur në përfundimin se ai kishte bërë deklarim të pamjaftueshëm për kriterin e pasurisë. Po ashtu, gjetjet lidhur me pasurinë dhe profesionalizmin u konsideruan nga Komisioni në vlerësimin tërësor, duke nxjerrë përfundimin se veprimet e subjektit kishin cenuar besimin e publikut në sistemin e drejtësisë.

Vladimir Skënderi e filloi karrierën e tij në sistemin e drejtësisë si gjyqtar në Gjykatën e Vlorës, ku punoi deri në vitin 2010. Më pas, ai ushtroi funksionin në Gjykatën e Durrësit.

Scroll to Top