KPA pranon gjetjen e ONM, por refuzon hetime shtesë

Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA) pranoi të premten, më 24 nëntor, kërkesën për administrimin e gjetjes së vëzhguesit ndërkombëtar, Theo Jacobs, lidhur me transaksionet e kryera për një apartament të prenotuar nga bashkëshortja e gjyqtarit Ervin Pollozhani para martesës së tyre. Megjithatë, KPA vendosi të mos hetojë më tej rrethanat e konstatuara, duke mos ndjekur sugjerimet e përfaqësuesit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM).

Në seancën paraardhëse, Jacobs kishte njoftuar se kishte depozituar një gjetje dhe një opinion për trupin gjykues të KPA-së, duke kërkuar hetimin e mëtejshëm të transaksioneve për blerjen e një apartamenti nga Pollozhani dhe bashkëshortja e tij, ku u është kthyer një pjesë e vlerës së paguar.

Në gjetjen e tij, Jacobs evidentoi faktin se prenotimi i apartamentit dhe shlyerja e shumës prej 117 mijë euro në vitin 2007 ishte kryer nga bashkëshortja e subjektit, e cila në atë kohë ishte në lidhje me të, por jo e martuar. Çmimi i shitjes u përcaktua rreth 85 mijë e 700 euro, pasi banesa e dorëzuar nga kompania ishte më e vogël nga sa ishte parashikuar në kontratën e porosisë. Gjithashtu, shoqëria ndërtuese u ktheu rreth 4.4 milionë lekë për arsye të ndryshimit të projektit të apartamentit. Nga kjo shumë, e cila u dorëzua cash nga shoqëria, subjekti depozitoi në llogarinë e tij rreth 3 milionë lekë. Apartamenti u shit rreth dy vjet e gjysmë më vonë për rreth 5.8 milionë lekë më shumë.

Konstatimet e kësaj gjetjeje u administruan nga KPA, por u vendos të mos zhvillohen hetime të mëtejshme, siç ishte pyetja e administratorit të shoqërisë që shiti apartamentin, marrja e akteve lidhur me kthimin e vlerës prej 4.4 milionë lekësh subjektit dhe bashkëshortes së tij, si dhe marrja e akteve për kontratat e apartamenteve të tjerë. Jacobs kishte kërkuar gjithashtu verifikimin për çështje penale apo civile të blerësve të banesës apo familjarëve të tyre, në gjykatat ku Pollozhani kishte ushtruar funksion para kryerjes së këtij transaksioni.

Gjyqtari Pollozhani shpjegoi se kthimi i shumës prej 4.4 milionë lekësh lidhej me sipërfaqen më të vogël të apartamentit të mëparshëm të dorëzuar në vitin 2012. Ai deklaroi se nuk kishte pasur kontribut në blerjen e kësaj pasurie, por ajo ishte blerë nga bashkëshortja dhe prindërit e saj para martesës. Pollozhani shtoi se vjehrri dhe vjehrra nuk kishin marrë pjesë, pasi bashkëshortja kishte kontribuar më shumë, rreth 90%, në pagesën e çmimit të apartamentit të mëparshëm. Lidhur me çmimin më të lartë të shitjes, subjekti parashtroi se apartamenti ishte shitur me orendi, të cilat kishin kosto shtesë, si dhe për shkak të rritjes së çmimit në treg.

Prokurori Klodian Braho, duke përfaqësuar drejtuesin e SPAK-ut, Altin Dumani, u shpreh se gjetja e vëzhguesit të ONM-së lidhet me një nga pasuritë e subjektit të rivlerësimit dhe mbështetet në shkaqet e ankimit. Braho u dakordua për administrimin e gjetjes dhe vijimin e hetimeve.

Pollozhani pyeti Brahon se ku në ankim ishte trajtuar gjetja e vëzhguesit të ONM-së, duke vënë në dukje se ankimi përmbante tre nënçështje: apartamenti, një shumë prej 1 milion lekësh dhe shpenzimet e mobilimit. Ai pyeti se në cilin paragraf, fjali, fjalë apo gërmë ishte trajtuar dyshimi për kthimin e shumës nga shoqëria. Braho u shpreh se ka ankim dhe jo çështje apo nënçështje, dhe se shuma prej 4.4 milionë lekësh është e paraqitur në ankim dhe nuk rezulton të jetë mbuluar me burime të ligjshme.

Pollozhani kërkoi refuzimin e administrimit të gjetjes dhe opinionit të vëzhguesit ndërkombëtar, duke argumentuar se ato ishin paraqitur jashtë afateve procedurale dhe nuk bazoheshin në prova apo rrethana të reja që nuk mund të ishin aksesuar më parë. Ai theksoi se hetimi gjyqësor ishte mbyllur dhe ishin në fazën e konkluzioneve përfundimtare kur u paraqit gjetja, duke e cilësuar kërkesën si një zgjerim artificial të shkaqeve të ankimit. Ai shtoi se pranimi i kërkesës do të cenonte procesin e rregullt ligjor, parimin e ligjshmërisë, sigurinë juridike dhe barazinë e armëve mes palëve.

Pollozhani nënvizoi se gjetja nuk ishte ngritur si shkak në ankim dhe, megjithëse legjislacioni nuk kishte dispozitë për kohën e paraqitjes së gjetjes, ajo ishte paraqitur tej afateve procedurale. Ai argumentoi se vëzhguesi ndërkombëtar vetë pranonte mungesën e provave të reja, por kërkonte që ato të merreshin si të tilla. Pollozhani pyeti pse kjo nuk ishte paraqitur para mbylljes së shqyrtimit gjyqësor, duke theksuar se procesi i vetingut të tij kishte filluar në vitin 2019 dhe kishte pasur kohë të mjaftueshme për paraqitjen e çdo prove apo gjetjeje. Ai shtoi se subjekti nuk mund të ngarkohet me barrë prove për shkak të cedimit organizativ të ONM-së dhe pyeti nëse qëndrimi i Jacobs ishte institucional apo personal.

Pollozhani vuri në dyshim aspektin profesional të vëzhguesit Steven Kessler, i cili kishte asistuar vetingun e tij dhe i kishte drejtuar pyetje të shumta, duke treguar se e kishte lexuar gjithë dosjen me vëmendje. Ai argumentoi se provat iniciojnë shkak të ri ankimi, por ky nuk qëndron. Gjithashtu, ai solli në vëmendje jurisprudencën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, duke theksuar se do të cënohej procesi i rregullt ligjor nëse pranohej kërkesa. Ai shtoi se gjetja nuk lidhet me elementë të rinj dhe nuk mund të marrë peshën e provës, dhe se ONM vepron si institucion, jo si mozaik qëndrimesh individuale. Sipas tij, prova formohet kur kalon përmes një zinxhiri standardesh mbrojtjeje. Ai nënvizoi se në procesin e vetingut të magjistratëve, provat paraqiten dhe administrohen në Komision, ndërsa në Kolegj merren vetëm nëse ka element të ri. Vëzhguesi, sipas tij, jo vetëm që nuk ka kryer rekomandim, por e ka paraqitur gjetjen në moment të vonë, duke e bërë atë provë të panevojshme.

Pollozhani sqaroi se qëndrimi i tij nuk ka të bëjë me anashkalimin e verifikimit të përmbajtjes, pasi kishte dhënë shpjegime për relatoren dhe vëzhguesin ndërkombëtar Steven Kessler, duke qartësuar të gjithë situatën dhe rrethanat. Në përfundim, ai kërkoi refuzimin e kërkesës së vëzhguesit ndërkombëtar.

Pas tërheqjes, trupi gjykues vendosi të riçelë hetimin gjyqësor vetëm për të administruar gjetjen e vëzhguesit të ONM-së, por nuk vendosi të vijojë hetime të mëtejshme sipas sugjerimeve të opinionit të Jacobs. Palët u ftuan të përgatisin konkluzionet përfundimtare që do të paraqiten më 25 nëntor, në orën 11:00.

Scroll to Top