Anëtarët e rinj të Komisionit Rregullator të KQZ janë votuar me konsensus.
Me 116 vota, si rezultat i konsensusit politik, Ilirjana Nano u rizgjodh kryetare e Komisionit Rregullator. Anëtarë të rinj të trupës u votuan me 111 vota pro ish-kryetarit të këtij institucioni, Arben Ristani. Ristani ka mbajtur detyrën e kreut të KQZ-së në vitet 2009-2012, gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike. Më pas ai pati një karrierë politike në këtë parti si deputet dhe sekretar i përgjithshëm.
Me konsensus u votuan edhe 3 anëtarët e tjerë të këtij organi rregullator të KQZ-së: Dritan Çaka dhe Helga Vukaj, të cilët u rizgjodhën në detyrë, dhe Bledar Skënderi, i cili ka shërbyer më herët si anëtar i KQZ-së para se ky institucion të riformatohej.
Komisioni Rregullator përbëhet nga 5 anëtarë. Si rregull, 3 kandidatë vijnë nga mazhoranca në pushtet dhe 2 nga opozita. Mandati i anëtarëve të Rregullatorit përfundoi në muajin tetor dhe Kuvendi nisi garën për zëvendësimin e tyre.
Komisioni Rregullator është organi i KQZ-së që ka në kompetencë miratimin e akteve me karakter normativ për proceset zgjedhore. Bazuar në Kodin Zgjedhor, ky organ i KQZ-së, ndër të tjera, ka kompetencë të miratojë rregulla të detajuara për organizimin dhe administrimin e zgjedhjeve dhe referendumeve, rregullat dhe udhëzimet për njësimin dhe përmirësimin e praktikave zgjedhore, si dhe për veprimtarinë e institucioneve publike në shërbim të zgjedhjeve.