Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve (KQZ) i ka propozuar Kolegjit Zgjedhor afate të reja për zgjedhjet e pjesshme për Kryetar në Bashkitë Berat, Tepelenë, Cërrik, Mat dhe Vlorë.
Kërkesa përfshin miratimin e afateve për regjistrimin e partive politike si subjekte zgjedhore deri më 16.10.2025, dhe të koalicioneve zgjedhore jo më vonë se 21.10.2025.
Komitetet Nismëtare duhet të paraqesin kërkesën për regjistrim deri më 16.10.2025, ndërsa dokumentet e kandidimit dorëzohen jo më vonë se 24.10.2025.
Vendimi i KQZ-së specifikon detyrimet e institucioneve publike për raportimin e veprimtarive me karakter publik gjatë periudhës zgjedhore (25.10.2025 – 09.11.2025) dhe monitorimin nga Autoriteti i Mediave Audiovizive.
Fushata zgjedhore fillon më 1.11.2025. Zyra e Gjendjes Civile duhet të hartojë listat e zgjedhësve jo më vonë se 6.10.2025.
Prefektët e Qarqeve do të paraqesin listën e objekteve të përshtatshme për Vendin e Numërimit të Votave deri më 16.10.2025. Kryetarët e Bashkive do të caktojnë vendet publike për afishime deri më 16.10.2025.
Partitë politike duhet të paraqesin propozimet për anëtarë në KZAZ dhe KQV brenda datave të caktuara, me afate të qarta për emërimin e tyre.
Kërkesat për akreditimin e vëzhguesve shqiptarë dhe të huaj, si dhe të subjekteve zgjedhore, kanë afate specifike, respektivisht deri më 25.10.2025 dhe 6.11.2025.
Rezultatet e sondazheve zgjedhore nuk do të publikohen gjatë tre ditëve të fundit para zgjedhjeve.
Vendimi hyn në fuqi menjëherë dhe mund të ankimohet pranë Kolegjit Zgjedhor brenda 5 ditëve.