2015–2025: Rreth 300 Milionë Euro Kredi për Ujësjellësit, Por Humbjet në Rrjet Nuk Ndryshojnë
Qeveria e Shqipërisë ka marrë rreth 589 milionë euro kredi të huaja për të financuar sektorin e ujësjellës-kanalizimeve. Nga kjo shifër, rreth 300 milionë euro janë kredi të marra pas vitit 2015, sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave.
Duke marrë parasysh edhe financimet nga buxheti i shtetit dhe tarifat që paguajnë qytetarët për shërbimin, vendi duhet të kishte zgjidhur tashmë çështjet e furnizimit me ujë të pijshëm. Megjithatë, situata është krejt e kundërta. Pavarësisht këtyre investimeve, humbjet e ujit në rrjet kanë mbetur të njëjta gjatë dekadës së fundit.
Të dhënat e Entit Rregullator të Ujit tregojnë se humbjet teknike në rrjet ishin 67% në vitin 2024, 64% në vitin 2023 dhe në nivele të ngjashme edhe më herët.
Nga qindra projekte të financuara me kredi të huaja deri në vitin 2025, sektori i ujësjellës-kanalizimeve ka përthithur rreth 599 milionë euro në periudhën 1990–2025. Në një vend me popullsi si Shqipëria, kjo shumë do të mjaftonte për të ndryshuar rrënjësisht furnizimin me ujë.
Nëse këto investime do të ishin përqendruar në uljen e humbjeve në rrjet, Shqipëria sot do të ishte shumë pranë furnizimit të pandërprerë me ujë në zonat urbane dhe turistike.
Humbjet aktuale në rrjet, mbi 60%, tregojnë se problemi nuk është te prodhimi i ujit, por te keqmenaxhimi, pasi uji nuk faturohet siç duhet. Ekspertët pohojnë se vetëm përgjysmimi i humbjeve do të sillte një rritje reale të furnizimit me 30–40%, pa qenë nevoja për të ndërtuar burime të reja. Shumica e qyteteve të mëdha do të mund të ofronin 24 orë furnizim me ujë në ditë.
Investimet janë shpërndarë në një numër të madh projektesh të vogla, shpesh të fokusuara në ndërtimin e infrastrukturës së re, pa ndërhyrë në mënyrën se si funksionon sistemi.
Sipas të dhënave zyrtare, kapaciteti mesatar vjetor i të gjitha burimeve të ujit të përdorura për prodhimin e ujit të pijshëm nga shoqëritë ujësjellës-kanalizime të monitoruara për vitin 2021 ishte 495 milionë metra kub. Në të njëjtin vit, vëllimi i përgjithshëm i ujit të prodhuar ishte 311,2 milionë metra kub, ndërsa kërkesa totale ishte 100 milionë metra kub.
Të dhënat tregojnë se sasia totale e ujit të disponueshëm për të gjitha shoqëritë e ujësjellës-kanalizimeve tejkalon kërkesën kombëtare nga konsumatorët me rreth 80%. Megjithatë, në shumë raste qytetet dhe zonat rurale të vendit vuajnë nga mungesa e ujit.
Uji prodhohet, por nuk shndërrohet në një shërbim të qëndrueshëm për konsumatorin.
Burimi: Ministria e Financave
