Kredia afatgjatë nga sektori bankar arrin nivele historike.
Kredia afatgjatë e dhënë nga sektori bankar ka vijuar trendin e rritjes gjatë vitit të kaluar. Të dhënat nga Banka e Shqipërisë tregojnë se në fund të muajit nëntor 2025, pesha e kredisë afatgjatë (me maturim mbi pesë vjet) ndaj totalit të kredisë arriti në 64.3%, duke u rritur nga 62% që kishte qenë në të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Pesha e kredisë afatgjatë aktualisht ndodhet pranë niveleve më të larta historike. Ky nivel maksimal u regjistrua në tetor 2025, kur kredia afatgjatë përbënte më shumë se 65% të totalit të portofolit. Gjatë viteve të fundit, vihet re një tendencë e qartë drejt rritjes së peshës së kësaj kredie në strukturën e kredisë bankare. Kjo rritje lidhet kryesisht me orientimin më të madh të sektorit bankar drejt kredisë për pasuri të paluajtshme dhe, në përgjithësi, drejt financimeve që mbështesin investimet.
Në vlerë, portofoli i kredive afatgjata arriti shumën e 586.4 miliardë lekëve, duke shënuar një rritje prej 16.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Kreditë më tipike afatgjata janë ato të destinuara për financimin e blerjes apo ndërtimit të pasurive të paluajtshme, si nga ndërmarrjet, ashtu edhe nga individët. Kredia për këto qëllime është rritur me ritme të shpejta në vitet e fundit, e nxitur nga cikli i ri i tregut të pasurive të paluajtshme, por edhe nga një ofertë e lartë e bankave në këtë segment.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se kredia për blerje banesash nga individët ka arritur vlerën totale të 240.3 miliardë lekëve, ose gati 2.5 miliardë eurove, me një rritje vjetore prej 18%. Ky produkt tani zë peshën kryesore në portofolin total të kredisë bankare dhe përbën më shumë se 27% të portofolit të kredisë për ekonominë.
Me ritme dyshifrore po rritet edhe kredia për pasuri të paluajtshme dhënë bizneseve, e cila ka arritur në 205.3 miliardë lekë, duke u rritur me 10.3% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Zgjerimi në tregun e kredive hipotekare, veçanërisht tek individët, është një mekanizëm që mundëson një shpërndarje të mirë të riskut kreditor, si dhe një rritje afatgjatë dhe të qëndrueshme të portofolit. Kreditë hipotekare dhe ato afatgjata në përgjithësi kanë një amortizim më të ngadaltë në kohë dhe ofrojnë një qëndrueshmëri më të madhe të rritjes së kredisë.
Megjithatë, rritja e shpejtë e kredisë për pasuri të paluajtshme, sidomos në dy vitet e fundit, ka ngritur shqetësime pranë Bankës së Shqipërisë, e cila ka filluar zbatimin e masave që synojnë ngadalësimin e ritmit të huadhënies. Që nga korriku i vitit 2025, kanë hyrë në fuqi nivele maksimale për treguesit “Raporti i kredisë ndaj vlerës” dhe “Raporti i shërbimit të borxhit ndaj të ardhurave”, për kreditë që bankat japin për pasuri të paluajtshme rezidenciale.
