“`html
Raporti i kredive me probleme ra përsëri në shkurt, duke arritur në 3.8%
Raporti i kredive me probleme pësoi sërish rënie në shkurt, pasi e kishte nisur vitin 2026 me një rritje të lehtë. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, ky raport në fund të shkurtit zbriti në 3.8%, nga 3.85% që kishte qenë për janarin.
Raporti i kredive me probleme ngelet në rënie me bazë vjetore, krahasuar me nivelin 4.06% të shkurtit 2025. Aktualisht, raporti i kredive me probleme është në nivelet më të ulëta të 18 viteve të fundit.
Megjithatë, stoku i kredive me probleme në fund të shkurtit vlerësohet afërsisht në 36 miliardë lekë, duke u rritur me 4.3% krahasuar me një vit më parë.
Raporti i kredive me probleme pati shfaqur një ecuri të luhatshme gjatë vitit 2025, por në fund të vitit pësoi një ulje më të dukshme. Kjo ulje lidhet pjesërisht me procesin e zakonshëm të fshirjes së kredive të humbura para mbylljes së bilancit vjetor.
Nga ana tjetër, ulja e raportit të kredive me probleme po mbështetet edhe nga rritja e shpejtë e portofolit të kredisë. Portofoli i kredisë për ekonominë në fund të shkurtit arriti vlerën e 946.9 miliardë lekëve. Me bazë vjetore, portofoli total i kredisë është në rritje me 11.6%.
Edhe pse me një ngadalësim të lehtë krahasuar me nivelet e fundit të vitit 2025, kredia për ekonominë vazhdon të rritet me ritme të mira, paralelisht në segmentet e biznesit dhe individëve.
Rritja e shpejtë e kredisë në dy vitet e fundit i ka shtuar shqetësimet për cilësinë e pritshme të portofolit të kredisë për ekonominë në vazhdim. Kriza gjeopolitike në Lindjen e Mesme ka rritur ndjeshëm rreziqet inflacioniste për vitin 2026. Një skenar i tillë mund të shoqërohet me rritje të normave të interesit dhe ulje të aftësisë paguese të huamarrësve.
Kjo do të çonte paralelisht në ngadalësimin e kreditimit dhe një rritje të fokusit në menaxhimin e portofoleve ekzistuese.
Përkundrejt rreziqeve në rritje për cilësinë e portofolit kreditor, Banka e Shqipërisë ka reaguar nëpërmjet shtrëngimeve rregullatorë. Fillimisht janë rritur kërkesat e kapitalit për bankat tregtare, ndërsa më pas është miratuar një sërë parametrash kufi të administrimit të rrezikut në kreditë për blerjen e banesave nga individët.
Në gjysmën e dytë të vitit të kaluar, këto masa nuk kanë sjellë ndonjë frenim domethënës në ritmet e kredidhënies për financimin e blerjes së banesave. Por, gjasat janë që rritja e shpejtë e kredisë dhe rreziqet inflacioniste t’i shtyjnë bankat drejt një qasjeje më të kujdesshme për vitin 2026.
Burimi: Banka e Shqipërisë
“`
