Kredia në Euro 2025: Rritje, Ndikimi i Kursit & Tendencat

Kredia në Euro u rrit për të dytin vit radhazi në vitin 2025. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, vitin e kaluar sektori bankar ka dhënë kredi të reja në Euro me një vlerë të barazvlefshme me 169.9 miliardë lekë.

Kredia në Euro u rrit me 10.5% krahasuar me vitin 2024, por këto shifra nuk janë rregulluar duke marrë parasysh efektin e kursit të këmbimit. Nëse analizojmë rënien prej 2.8% të kursit mesatar të këmbimit Euro-Lek gjatë vitit të kaluar, rritja e kredisë në Euro, e pastruar nga efekti i kursit, do të ishte rreth 13.3%. Megjithatë, rritja e kredisë në Euro në vitin 2025 ishte dukshëm më e ulët në krahasim me vitin 2024, kur kjo rritje, e rregulluar me lëvizjen mesatare të kursit të këmbimit, arriti rreth 21%.

Gjatë vitit 2025, rritja e kredisë në Euro u shpërnda më në mënyrë të balancuar mes dy segmenteve kryesore të tregut: bizneseve dhe individëve. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se kompanitë private morën kredi në Euro për një shumë të përgjithshme prej 138.3 miliardë lekësh, duke shënuar një rritje prej 6% krahasuar me vitin paraardhës. Ndërkohë, kredia për individë në Euro u rrit në 24.3 miliardë lekë, që përfaqëson një rritje prej 19.4% krahasuar me një vit më parë.

Kredia në Euro pësoi një frenim në vitin 2023, kryesisht për shkak të rritjes së normave të interesit dhe efektit statistikor të rënies së kursit të këmbimit të Euros me Lekun. Madje, disa huamarrës vendosën të konvertonin kreditë ekzistuese nga Euro në Lek, duke përfituar nga kursi i favorshëm i këmbimit dhe nga fakti se për herë të parë normat e interesit në Lekë zbritën në nivele më të ulëta se ato në Euro. Megjithatë, Leku mbetet monedha dominuese në flukset e reja të kredisë, veçanërisht në segmentin e individëve.

Pas vitit 2024, ulja e normave të interesit të Euros në tregjet financiare, duke përfshirë treguesin benchmark Euribor që përdoret për indeksimin e huave në monedhën europiane, ka ndikuar në një rikthim të interesit për të marrë hua në Euro.

Depozitat në Euro të sektorit bankar kanë vazhduar rritjen, megjithëse me ritme më të ngadalësuara. Në fund të vitit 2025, depozitat e sektorit bankar në monedhën europiane arritën në 8.75 miliardë euro, duke shënuar një rritje prej rreth 9% krahasuar me një vit më parë.

Në vitin 2025, kredia për ekonominë u rrit me ritmet më të larta që prej vitit 2009. Portofoli total i kredisë u rrit me 12.9% me bazë vjetore. Rritja e portofolit u përshpejtua më tej, krahasuar me rritjen prej 12.3% të vitit 2024. Në afat të shkurtër, as masat e marra nga Banka e Shqipërisë, si rritja e kërkesave minimale për kapital ndaj bankave, as kufizimet direkte mbi kriteret e kredisë për blerjen e banesave nga individët, nuk kanë sjellë një ndikim të rëndësishëm në frenimin e kreditimit.

Scroll to Top