Kreditë me probleme në Shqipëri rriten, shqetësime për stabilitetin financiar

Raporti i kredive me probleme arrin nivelin më të lartë që prej vitit të kaluar

Raporti i kredive me probleme është rritur për të tretin muaj radhazi në shtator. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, ky tregues arriti në 4.37%. Treguesi i kredive me probleme ka arritur nivelin më të lartë që prej nëntorit të vitit të kaluar.

Megjithatë, në baza vjetore, ky raport mbetet në rënie. Një vit më parë, kreditë me probleme përbënin 4.58% të portofolit.

Ecuria e treguesit të kredive me probleme fillon të justifikojë shqetësimet e lidhura me rritjen shumë të shpejtë të kredisë në dy vitet e fundit. Në fund të shtatorit, portofoli i kredisë për ekonominë arriti në 901.6 miliardë lekë, duke u rritur me 10.9% në baza vjetore. Rritja vjetore e portofolit është ngadalësuar lehtë krahasuar me vitin 2024, por sidoqoftë mbetet dyshifrore dhe pranë niveleve më të larta në 16 vitet e fundit.

Ndërkohë, raporti i kredive me probleme e ka frenuar rënien dhe, në tremujorin e fundit, po shfaq një tendencë të lehtë rritjeje. Stoku i kredive me probleme vlerësohet të jetë rreth 39.4 miliardë lekë, krahasuar me 34.9 miliardë lekë në fund të vitit të kaluar dhe 37.2 miliardë lekë në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Që nga fillimi i këtij viti, stoku i kredive me probleme është rritur me 12.8%.

Raporti i Stabilitetit Financiar i Bankës së Shqipërisë tregoi se që në gjysmën e parë të këtij viti, sektori bankar ka regjistruar më shumë kredi të reja me probleme, krahasuar me vlerën e kredive me performancë normale. Fluksi vjetor i kredive të reja me probleme ishte 1.9% e kredive të rregullta, nga 1.7% dhe 1.8% një gjashtëmujor dhe një vit më parë.

Në mesin e këtij viti, filloi zbatimi i disa masave kufizuese nga Banka e Shqipërisë, të cilat lidheshin me treguesit e administrimit të riskut të huadhënies për blerjen e banesave. Banka qendrore ndaloi bankat të financojnë blerjen e banesave në masën 100% dhe përcaktoi gjithashtu kritere të detyrueshme për raportin e këstit të kredisë ndaj të ardhurave (duke lejuar një marzh përjashtimi prej 15% nga këto kufizime).

Në tremujorin e parë të zbatimit, masat kufizuese nuk kanë arritur të frenojnë rritjen e kredisë për shtëpi. Statistikat e Bankës Qendrore tregojnë se në tremujorin e tretë 2025, sektori bankar dha gjithsej rreth 13.8 miliardë lekë kredi të re për blerjen e banesave, me një rritje prej 16% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Megjithatë, është e pritshme që masat kufizuese të sjellin gradualisht një ngadalësim të rritjes së kredisë. Ngadalësimi i rritjes së portofolit, në kushtet kur kreditë e këqija po shfaqin një tendencë në rritje, ka shumë të ngjarë të sjellë edhe një rritje të mëtejshme të raportit të kredive me probleme.

Scroll to Top