Shtohen kreditë problematike në vend
Raporti i kredive me probleme shënoi një rritje të lehtë në fillim të vitit 2026. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, në janar ky raport ishte në nivelin 3.85%, krahasuar me 3.8% në fund të vitit 2024. Megjithatë, ky tregues mbetet në rënie në bazë vjetore, nga 4.12% që ishte një vit më parë.
Stoku i kredive me probleme në fund të janarit vlerësohet të jetë rreth 36.2 miliardë lekë, duke shënuar një rritje prej 4.3% krahasuar me një vit më parë. Raporti i kredive me probleme pati një ecuri luhatëse gjatë vitit 2025, por në fund të vitit u ul ndjeshëm, pjesërisht për shkak të procesit të zakonshëm të fshirjes së kredive të humbura para mbylljes së bilancit vjetor.
Ulja e raportit të kredive me probleme u mbështet gjithashtu nga rritja e shpejtë e portofolit të kredisë. Në fund të vitit 2025, portofoli i kredisë për ekonominë arriti vlerën e 943.5 miliardë lekëve, duke u rritur me 12.9% në bazë vjetore. Kjo rritje ishte më e shpejtë se ajo prej 12.3% e vitit 2024.
Megjithatë, rritja e shpejtë e kredisë në dy vitet e fundit ka shtuar shqetësime për cilësinë e pritshme të portofolit të kredisë për ekonominë në të ardhmen. Këto shqetësime mund të bëhen më të theksuara në rastin e skenarëve që mund të përkeqësojnë ecurinë e ekonomisë reale dhe aftësinë paguese të huamarrësve.
Shqetësimet për skenarë të tillë janë shtuar pas tensioneve në Lindjen e Mesme, të cilat kanë sjellë rritje të çmimeve të naftës dhe rrjedhimisht rrezikun e një rritjeje të inflacionit.
Në një prononcim për “Monitor” në fund të vitit 2025, Banka e Shqipërisë vlerësoi nevojën për kujdes në kontrollin dhe moderimin e efektit të mundshëm të zgjerimit të shpejtë të kredisë dhe rritjes së konkurrencës në treg ndaj relaksimit të standardeve të kreditimit.
Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë veprime duke shtrënguar rregullativën, fillimisht duke rritur kërkesat e kapitalit për bankat tregtare, dhe më pas duke miratuar parametra kufi për administrimin e rrezikut në kreditë për blerjen e banesave nga individët. Megjithatë, në gjysmën e dytë të vitit të kaluar, këto masa nuk kanë arritur të frenojnë ndjeshëm ritmet e kredidhënies për blerje banesash.
