Kreditimi NMVM: Pengesa nga informaliteti te pronat

Kreditimi i Ndërmarrjeve: Anketa e Këshillit të Investimeve zbulon pengesat nga informaliteti te pronat

Bankat në vend po identifikojnë një sërë faktorësh që ndikojnë në vendimet e tyre të kreditimit për Ndërmarrjet Mikro, të Vogla dhe të Mesme (NMVM). Një anketë e realizuar nga Sekretariati i Këshillit të Investimeve (KI), me pjesëmarrjen e bizneseve dhe bankave, ka nxjerrë në pah disa prej këtyre çështjeve, duke përballur qëndrimet e secilës palë.

Sipas anketës, rritja e kreditimit për NMVM-të kufizohet nga:

  • Çështjet me regjistrimin e pronës: Këto përfshijnë vonesa në rifreskimin e certifikatave të pronësisë, si dhe përgjigje zyrtare të paqarta lidhur me plotësimin e dokumentacionit.
  • Mungesa e kolateralit.
  • Nivelet e larta të kredive të vonuara.
  • Shifra të dyfishta të raportimit financiar.
  • Edukimi joadekuat financiar.

Faktorë të tjerë me ndikim të moderuar përfshijnë mungesën e stafit të dedikuar për grupin e synuar të NMVM-ve dhe mungesën e proceseve plotësisht të digjitalizuara.

“Trajtimi i këtyre çështjeve do të jetë thelbësor për nxitjen e një mjedisi kreditues më mbështetës ndaj sipërmarrjes dhe nxitjen e rritjes së qëndrueshme ekonomike,” thuhet në publikimin e KI.

Megjithatë, rezulton se të paktën 67% e ndërmarrjeve që kanë aplikuar kanë marrë financimin e kërkuar.

Sipas institucioneve financiare, nivelet e larta të informalitetit, çështjet e lidhura me pronën dhe mungesa e informacionit të përditësuar nga rregullatorët ose bashkitë, në lidhje me sektorët ose aktivitetet që kërkon tregu, po pengojnë disi nivelet e kreditimit për NMVM-të.

Gjatë konsultimeve për faktorët ndërlikues të procesit të kreditimit, u përmend edhe mungesa e studimeve që analizojnë nevojat dhe nivelet e ofruesve të shërbimeve, bazuar në dendësinë aktuale të popullsisë dhe kërkesat e paplotësuara.

Në nivel sektori, aksesi i kufizuar në financa krijon vështirësi të konsiderueshme në funksionimin e biznesit për një në dy kompani, kryesisht NMVM-të që operojnë në sektorët e energjisë, bujqësisë dhe turizmit.

Sekretariati ka rekomanduar masa për rritjen e kreditimit, duke përfshirë:

  • Përmirësimin e mbledhjes së të dhënave dhe transparencës së ndërmarrjeve.
  • Zgjerimin e skemave të garancisë.
  • Përshpejtimin e përpjekjeve për dixhitalizimin e shërbimeve bankare.
  • Përmirësimin e programeve të edukimit financiar, me fokus tek NMVM-të.
Scroll to Top