Kremlini refuzon planin evropian për armëpushim në Ukrainë: Nuk na shërben, është jo konstruktiv
Kremlini ka deklaruar sot se kundërpropozimi evropian ndaj planit amerikan me 28 nene për Ukrainën është tërësisht jokonstruktiv dhe nuk i përshtatet aspak Moskës.
Publikimi i planit amerikan kishte shkaktuar shqetësim të madh në Kiev dhe në kryeqytetet evropiane, pasi dukej se Uashingtoni i kishte pranuar pothuajse plotësisht kërkesat kryesore ruse lidhur me NATO-n, territoret dhe afatet e çdo marrëveshjeje paqeje.
Sipas një dokumenti të parë nga agjencia Reuters, versioni evropian ndryshon thelbësisht kuptimin dhe peshën e pikave kyçe për NATO-n dhe territoret.
“Plani evropian, me një vështrim të parë… është krejtësisht jokonstruktiv dhe thjesht nuk na vlen”, u tha gazetarëve në Moskë këshilltari i Kremlinit për politikë të jashtme, Yuri Ushakov.
Kujtojmë se ditën e premte presidenti Vladimir Putin kishte thënë se propozimet amerikane mund të shërbenin si bazë për zgjidhjen e konfliktit, por nëse Kievi i refuzon, forcat ruse do të vazhdojnë të avancojnë.
Ushakov shtoi se jo të gjitha, por shumë nga pikat e planit amerikan i duken mjaft të pranueshme, duke nënvizuar megjithatë se disa prej tyre duhet të diskutohen më në hollësi.
